Pas protestave të dhunshme antiraciste ku qindra protestues vunë në shënjestër rrëzimin e statujave, Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për mbrojtjen e monumenteve, përkujtimoreve dhe statujave në mbarë SHBA.
Lajmin e bëri të ditur vetë presidenti Trump me anë të një postimi në twitter.
“Pata privilegjin të nënshkruaja një Urdhër Ekzekutiv shumë të fortë për mbrojtjen e Monumenteve Amerikane, Përkujtimoreve dhe Statujave dhe për të luftuar Dhunën Kriminale të kohëve të fundit. Dënime të gjata me burg për këto veprime të paligjshme kundër Vendit tonë Madhështor!”, shkruan Trump.
Sipas urdhrit, Prokurori i Përgjithshëm duhet të ndjekë penalisht çdo person apo grup që shkatërron ose vandalizon një monument, memorial ose statujë. Ligji federal parashikon dënimin deri në 10 vite burg për “dëmtimin e qëllimshëm” të pasurive federale.
Por urdhri parashikon edhe paralajmërimin e agjencive lokale të rendit që nuk mbrojnë monumentet.
Trump kishte premtuar më herët marrjen e masave kundër protestuesve të dhunshëm, sidomos pas përpjekjes së fundit për rrëzimin e statujës së të ish-presidentit Andrew Jackson në një park pranë Shtëpisë së Bardhë javën e kaluar.
Protestat masive e të dhunshme në SHBA nisën pas vdekjes së afrikano-amerikanit Xhorxh Flloid nga policia në Minesota rreth një muaj më parë.
Tubuesit e zemëruar dëmtuan dhe shkatërruan disa monumente, duke detyruar autoritetet lokale t’i heqin përkohësisht ose t’i mbrojnë ato, ndërkohë që në shumë raste, apo përfunduan ne vjedhje e grabitje dyqanesh dhe pronash private.