Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, pati një fjalim këtë të mërkurë ku iu adresua gjithë kombit pas sulmit të Iranit në dy baza amerikane në Irak. Trump konfirmoi se asnjë amerikan dhe irakian nuk humbi jetën si pasojë e sulmit me raketa.
Ai paralajmëroi sanksione ndëshkuese ndaj Iranit, ndërsa theksoi se kanë marrë fund ditët kur kombet duronin shumë veprimet aksionet shkatërruese të Iranit.
“Irani duket se po tërhiqet, gjë që është shumë e rëndësishme për të gjitha palët e shqetësuar dhe gjë shumë e mirë për botën. Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione të tjera ndëshkuese ekonomike ndaj regjimit iranian”, tha Trump.
Ai i bëri thirrje edhe vendeve të tjera që të ushtrojnë presion ndaj Iranit për armët bërthamore.
“Irani duhet të braktisë ambiciet bërthamore dhe mbështetjen ndaj terrorizmit. Ne duhet të punojmë sëbashku drejt një marrëveshje me Iranin që ta bëjmë botën më të sigurtë dhe më të paqtë”, tha Trump.
Për sa i përket vrasjes së gjeneralit iranian ai tha se Qasem Soleimani “ishte duke planifikuar sulme të reja ndaj shënjestrave amerikane, por ne e ndaluam”.
Pjesa e fundit e fjalimit dukej si zgjatje e një dege ulliri: “Nuk duam të përdorim forcën tonë ushtarake kundër Iranit”, tha presidenti amerikan, ndërsa më pas iu referua “prioritetit të përbashkët” mes Uashingtonit dhe Teheranit, mbi të gjitha lufta kundër Isis.
Në fund Trump iu drejtua popullit iranian: “Duhet të gjejmë një marrëveshje që të na lejojë të rritemi dhe të prosperojmë”. Trump siguroi se Shtetet e Bashkuara “janë të gatshëm për paqe me të gjithë ata që dëshirojnë”.
Dhjetëra raketa lëshoi ushtria iraniane duke goditur dy baza ajrore amerikane në Irak, hakmarrje e Iranit pas vrasjes së komandantit të Gardës Revolucionare Qasem Soleimani nga ushtria amerikane të premten e 3 Janarit në Bagdad.
Sulmi ndodhi rreth orës 02:00 të mëngjesit të kësaj të mërkure, sipas orës lokale. Në shënjestër ishin bazat ajrore amerikane të Al Asadit në perëndim të Bagdadit dhe ajo e Irbilit në veri të Irakut.