Trump: “Kjo është një ditë vërtet historike, vërtet e rëndësishme, sidomos në një pjesë tepër të bukur të botës. Mezi po pres të shkoj në të dy shtetet, shpresoj në të ardhmen e afërt”
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Serbia dhe Kosova u pajtuan që të normalizojnë marrëdhëniet ekonomike, duke e cilësuar këtë një kthesë të madhe pas më shumë se një dekade që kur Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008.
“Serbia dhe Kosova janë përkushtuar për normalizimin ekonomik”, tha presidenti Trump.
Më pas ai nënshkroi dy marrëveshje të rëndësishme me secilin shtet duke synuar rritjen e investimeve amerikane për të stimuluar bashkëpunimin ekonomik mes Prishtinës dhe Beogradit. Trump falenderoi Hotin dhe Vuçiç duke e konsideruar këtë raund negociatash tepër të suksesshëm.
“Ditë historike në një pjesë të bukur të botës”
Presidenti amerikan Donald Trump, përshëndeti marrëveshjet e arritura me ndërmjetësimin e tij mes Serbisë dhe Kosovës, të cilat përkushtohen për normalizimin ekonomik.
“Kjo është një ditë vërtet historike, vërtet e rëndësishme, sidomos në një pjesë tepër të bukur të botës. Jam i lumtur të deklaroj se Serbia dhe Kosova janë përkushtuar për normalizim ekonomik. Ata kanë punuar në këtë drejtim për shumë vite, aktualisht dekada, pas historisë me incidente tragjike e të dhunshme dhe vite negociatash të dështuara. Administrata ime propozoi mënyra të reja për të ngushtuar diferencat duke u fokusuar në krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike. Të dyja shënuan një arritje të madhe, diçka të cilën askush nuk e mendonte të mundur. Mendoj se do të funksionojë shumë mirë”, tha Trump.
“Të dy shtetet patën mundësi të arrijnë një marrëveshje madhore për bashkëpunim ekonomik. Mund të them se Serbia dhe Kosova kanë shumë njerëz në SHBA, ata e duan vendin e tyre vërtet shumë. Ka pasur shumë vdekje për një periudhë tepër të gjatë kohe dhe tani kjo merr fund”.
Trump shtoi se Ballkani dhe e gjithë bota, tani është më e sigurt pas këtyre marrëveshjeve. “Mezi po pres të shkoj në të dy shtetet, shpresoj në të ardhmen e afërt. Kemi fushatën tani dhe mendoj se mund t’i kushtojmë pak kohë saj”, shtoi presidenti.
Hoti: Një i madh para
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se marrëveshja me Serbinë është një hap i madh që duhet të çojë në njohjen e ndërsjellë ndërmjet të dyja vendeve.
“Mendoj se absolutisht ky është një moment madhështor për Kosovën dhe rajonin. Mendoj se kemi bërë një hap të madh përpara për normalizim të plotë që do të çojë në njohje të plotë të dy vendeve. Ne besojmë plotësisht në administratën tuaj, ndajmë të njëjtat vlera dhe mezi po presim që të zbatojmë këtë marrëveshje sa më parë”, tha Hoti.
“Do të ketë shumë sukses, më vjen shumë keq që nuk është mundur të bëhet më parë”, iu përgjigj Trump.
Ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se ka ende shumë dallime ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por ky është një hap i madh përpara.