Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shënjestruar dhe janë gati që të godasin 52 zona në Iran nëse Teherani sulmon amerikanët apo asetet amerikane.
Sipas Presidentit, goditja e SHBA-së do të jetë “shumë e shpejtë dhe shumë e rëndë”.
Trump shkroi në Twitter: “Irani po thotë se ka shënjestruar disa asete amerikane për t’u hakmarrë ndaj nesh, pasi i vramë një nga terroristët më të mëdhenj të botës, i cili sapo kishte vrarë një amerikan dhe kishte plagosur shumë të tjerë. Pa përmendur këtu të gjithë ata njerëz që ka vrarë gjatë jetës së tij, duke përfshirë qindra protestues iranianë. Ai kishte sulmuar ambasadën tonë dhe po përgatiste sulme në vende të tjera. Irani ka shkaktuar vetëm probleme përgjatë viteve. Ky le të shërbejë si një paralajmërim: nëse Irani godet ndonjë amerikan apo aset amerikan, ne kemi shënjestruar 52 zona iraniane (që përfaqësojnë 52 amerikanët që u morën peng nga Irani shumë vite më parë), disa shumë të rëndësishme për Iranin dhe kulturën iraniane, dhe këto zona do të goditen SHUMË SHPEJT DHE SHUMË RËNDË! Nuk ka më kërcënime ndaj SHBA-së! Amerika sapo ka shpenzuar 2 trilionë dollarë për pajisje ushtarake. Jemi më të MIRËT në Botë me diferencë të madhe! Nëse Irani sulmon një bazë amerikane, apo çdo amerikan, ne do të dërgojmë atje pa hezitim disa nga këto pajisje të reja dhe të bukura”.
Kjo deklaratë e Trump vjen pas vrasjes së gjeneralit Qassem Soleimani, një nga krerët më të lartë të ushtrisë iraniane. Vrasja me urdhër të Trump përshkallëzoi tensionin dhe Irani është zotuar për një “hakmarrje të ashpër”.