Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka paralajmëruar Ajatollahun e Iranit me anë të një statusi në Twitter të shkruar në anglisht dhe persisht.
“Populli fisnik i Iranit, i cili e dashuron Amerikën, meriton një qeveri që është më shumë e interesuar për t’i përmbushur ëndrrat e tyre sesa në vrasjen e popullsisë për të fituar respekt. Në vend që ta udhëheqin Iranin drejt shkatërrimit, udhëheqësit iranianë duhet ta lënë mënjanë terrorin dhe ta bëjnë Iranin të madh sërish”, shkroi Trump në rrjetin social, duke iu kundërpërgjigjur Ajatollahut Khamenei, i cili më parë, po në Twitter, kishte folur ashpër ndaj “qeverisë burracake të Amerikës”.
Pasi Trump u përgjigj, Khamenei vazhdoi luftën e fjalëve duke shkruar: “Qeveria amerikane thotë shpesh se qëndron në krah të popullit iranian. Gënjen. Nëse qëndroni në krah të popullit iranian, e bëni sepse doni ta godisni në zemër me kamat tuaja të helmuara. Sigurisht që deri tani nuk ia keni arritur qëllimit dhe do të vazhdoni të dështoni”.
Trump ia ktheu kështu: “I ashtuquajturi “Lider Suprem” i Iranit, i cili nuk është dukur kaq Suprem kohët e fundit, tha disa gjëra të këqija për Amerikën. Ekonomia e tyre po rrënohet dhe populli i tyre po vuan. Duhet të bëjë kujdes me fjalët”.