Presidenti amerikan Donald Trump ka hedhur poshtë hetimin e Robert Mueller dhe bisedimet mbi murin në kufirin me Meksikën, në një intervistë për “The New York Times”.
Presidenti tha se negociatat në kongres, për financimin e murit, problemi që qëndron pas mbylljes më të fundit të qeverisë, ishte një humbje kohe.
“Unë do të vazhdoj ta ndërtoj murin dhe ai do të përfundojë”, tha presidenti, duke kritikuar bisedimet që vazhdojnë dhe që kanë si qëllim zgjidhjen e impasit në kongres e duke lënë të kuptohet se ai mund të shpallë emergjencën kombëtare për të garantuar ndërtimin e tij.
Trump ka kërkuar 5.7 miliard dollarë për ndërtimin e murit në kufirin jugor.
Demokratët refuzojnë ti miratojnë këto fonde duke argumentuar se muri është imoral dhe jo efektiv.
Çarja çoi edhe në mbylljen më të gjatë të qeverisë në historinë e SHBA, që do të rinisë më 15 shkurt, nëse nuk do të bihet dakord për buxhetin. Trump ndërkohë pretendoi në intervistë se avokatët e tij kishin marrë garanci se ai nuk ishte shënjestër në hetimin e këshilltarit special. Robert Mueller po heton për përfshirjen e mundshme të Rusisë në zgjedhjet e 2016.
Intervista e “The New York Times” me Trump vjen pasi presidenti kishte biseduar me botuesin e gazetës.
Trump ka sulmuar në vijimësi gazetën duke e quajtur atë dështakja New York Times. Por, botuesi i kërkoi presidentit të ndalte sulmet e tij mbi median, vitin e shkuar, duke thënë se ato mund të çonin në dhunë kundër gazetarëve.