Presidenti Trump tha se do të pezullojë për 30 ditë të gjitha udhëtimet nga Europa për në SHBA, duke filluar nga e premtja në mesnatë.
Në fjalimin e mbajtur nga Shtëpia e Bardhë të mërkurën mbrëma, ai tha se kufizimet “e forta, por të nevojshme” përjashtojnë Britaninë.
“Këto kufizime do të përshtaten në varësi të kushteve në terren,” tha presidenti. Ai shtoi se do të ketë përjashtime “për amerikanët që kanë kaluar nëpër kontrollet e duhura”, por nuk dha hollësi.
Në Europë, Italia është goditur më rëndë, me më shumë se 12,000 infeksione të konfirmuara dhe më shumë se 800 vdekje, sipas të dhënave. Franca, Spanja dhe Gjermania kanë secila nga rreth 2,000 raste të konfirmuara.
Fjalimi vjen pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli koronavirusin një pandemi globale.
Presidenti Trump tha se masat e forta për të frenuar përhapjen e koronavirusit në SHBA janë përpjekja më agresive dhe e gjithanshme për t’u përballur me një virus të huaj në historinë moderne.
“Ka rëndësi se si përgjigjesh dhe ne po përgjigjemi me shpejtësi dhe profesionalizëm të madh,” tha Presidenti Trump. Ai tha se ka besim se me këto masa të rrepta, SHBA do të arrijnë të ulin ndjeshëm kërcënimin ndaj qytetarëve dhe se virusi më në fund do të mposhtet.
“Ne po lëvizim shumë shpejt,” shtoi ai.
Presidenti tha se “kjo nuk është një krizë financiare,” në përpjekje për të qetësuar tregjet e aksioneve që kanë pësuar rënie të thella ditët e fundit. Ai paraqiti një sërë stimujsh ekonomikë dhe financiarë për bizneset e vogla që po ndikohen negativisht nga koronavirusi.
Komentet e Presidentit Trump vijnë ndërkohë që ai vetë ka qenë disa herë në shënjestër të kritikave, pasi e ka paraqitur gjendjen në kontradiktë me vlerësimin e zyrtarëve të shëndetit publik në administratën e tij.
“Një veprim i zgjuar sot do të parandalojë përhapjen e virusit nesër,” tha Presidenti Trump në fjalimin e shkurtër nga Zyra Ovale.
Në SHBA deri tani ka 1135 raste të konfirmuara me koronavirus dhe 38 të vdekur.
Numri i rasteve në SHBA ka vazhduar të rritet.
Anthony Fauci, drejtor i Institutit të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive dhe një ndër ekspertët kryesorë që po përpiqen të menaxhojnë koronavirusin, tha të mërkurën: “Mund të pohoj se do të shohin më shumë raste dhe se gjërat do të keqësohen më tepër se sa janë tani.”/VOA