Bota Trump rikthehet në skenën botërore me takimin me Macron në Francë

Trump rikthehet në skenën botërore me takimin me Macron në Francë

Presidenti francez Emmanuel Macron priti të shtunën Presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara Donald Trump për bisedime në Pallatin Elize, përpara se të dy udhëqësit të merrni pjesë në një ceremoni për të shënuar rihapjen e Katedrales Notre-Dame pesë vjet pasi ajo u dëmtua rëndë nga zjarri.

Udhëtimi në Francë shënon kthimin e Trump në skenën botërore, ndërsa përgatitet për t’u përballur me një mori krizash ndërkombëtare kur të marrë detyrën më 20 janar.

Dy udhëheqësit u përshëndetën ngrohtësisht në shkallët e Pallatit Elize. Është udhëtimi i parë i Trump jashtë vendit që kur fitoi zgjedhjet presidenciale një muaj më parë dhe kjo vizitë mund t’i ofrojë zotit Macron një mundësi për të luajtur rolin e ndërmjetësit midis Evropës dhe Trump, një rol që udhëheqësi francez e ka luajtur edhe në të kaluarën.

Presidenti i zgjedhur Trump i tha Presidentit Macronit se kishin shënuar “sukses vërtet të madh” kur kishin bashkëpunuar gjatë mandatit të tij të parë në detyrë.

“Dhe sigurisht bota duket disi e çmendur aktualisht. Dhe ne do të flasim për këtë,” vazhdoi Trump.

Megjithëse nuk është bërë publike ndonjë axhendë për bisedimet e tyre, udhëheqësit evropianë janë të shqetësuar se Trump mund të ndalë ndihmën ushtarake të SHBA-së për Ukrainën në një moment vendimtar në luftën e saj për të zmbrapsur agresionin rus.

Presidenti Macron është një përkrahës i fortë i aleancës së NATO-s dhe luftës së Ukrainës, ndërsa Trump mendon se vendet evropiane duhet të paguajnë më shumë për mbrojtjen e tyre të përbashkët dhe fundi i luftës në Ukrainë duhet të sigurohet përmes një zgjidhjeje e negociuar.