Një studim global ka treguar se niveli i besimit ndaj presidentit amerikan Donald Trump është shumë i ulët, ndërsa besimi tek SHBA po rritet. Merkelit i besohet më së shumti.
Popullariteti global i presidentit amerikan Donald Trump është në një nivel shumë të ulët. Shtetasit e shumë vendeve nuk kanë besim në aftësitë politike të Trumpit, thuhet në një studim të Pew Research Center. Të anketuarit kanë qëndrime shumë më të ndryshme për kancelaren gjermane Angela Merkel. Studimi është bërë vitin e kaluar në 33 vende të ndryshme të botës.
Vetëm 29% e të anketuarve i beson presidentit Trump në marrjen e vendimeve për tema të mëdha politike. 64 % nuk ka besim tek aftësië e tij, ndërsa 7% e të anketuarve nuk duan të prononocohet. Presidenti i SHBA ka një besueshmëri shumë më të ulët se shumë politikanë të tjerë botërorë.
Të anketuarit më së shumti u besojnë vendimeve të kancelares gjermane Angela Merkel. 46 % e të anketuarve mendon se vendimet e kancelares janë të drejta. Pas Angela Merkelit renditen presidenti i Francës Emmanuel Macron (41 %) dhe presidenti i Rusisë Vladimir Putin (33%). Më keq se Trumpi në këtë listë renditet vetëm kryeministri i Kinës Xi Jinping, të cilit i beson vetëm 28 % e të anketuarve. Por përqindja e njerëzve që kanë mendime negative për kryeministrin kinez është më e ulët se ajo ndaj Trumpit (43%).
Ukraina i beson Trumpit?
Imazhi i presidentit amerikan dallon shumë – varësisht nga vendi. Për shkak të paralajmërimeve për ngritjen e murit të famshëm ndaj Meksikës, vetëm tetë përqind e meksikanëve i besojnë vendimeve të Trumpit. Në Britaninë e Madhe Trumpit i besojnë rreth 33%. Por në vendet e tjera evropiane besimi ndaj tij është shumë më i ulët. Vendimeve të Trumpit në Gjermani u besojnë vetëm 13 % e shtetasve të këtij vendi. Besueshmërinë më të lartë ndaj vendimeve të Trumpit e kanë shprehur banorët e Filipineve – me gati 75%. Ndërsa vendimeve të presidentit amerikan në Poloni i besojnë mbi gjysma e të anketuarve.
Sa i përket Ukrainës, mendimet dallojnë varësisht nëse të anketuarit janë ukrainas apo kanë prejardhje ruse. 44% e ukrainasve i besojnë vendimeve të Trumpit, që është dyfish më shumë se tek rusët – përkundër faktit që Trumpi ka ndaluar ndihmat ndaj Ukrainës, në konfliktin me forcat ruse. Studimet janë bërë para publikimit të telefonatave të Trumpit me presidentin ukrainas, ku thuhet se Trumpi ka ushtruar presion ndaj Selenskyt.
Kundër taksave doganore
Në Studimin e PEW thuhet se një prej vendimeve më të urryera të presidentit të SHBA-së është rritja e përqindjes së doganave për prodhimet e vendeve të ndryshme. Kundër këtij vendimi janë shprehur 68 % e të anketuarve. Ndërsa më shumë se gjysma është edhe kundër ashpërsimit të politikës imigruese në SHBA.
Pozitive është vlerësuar politika amerikane ndaj Koresë së Veriut. Trumpi është presidenti i parë amerikan i cili është takuar me liderin e Koresë Kim Jong Un. Këtë vendim e kanë mbështetur 41 % e të anketuarve, ndërsa kundër janë 36 %.
E gjitha kjo ka ndikuar edhe në mendimin e njerëzve ndaj SHBA, sepse aktualisht vetëm 54 % e të anketuarve kanë mendim pozitiv ndaj këtij vendi. “Presidenti aktual është një faktor i rëndësishëm për mendimin e përgjithshëm të njerëzve ndaj një vend“, thuhet në studim.
Carla Bleiker/DW