I cilësuar si truri i grabitjeve, Admir Çerpja, i cili ka pranuar i pari përfshirjen në dy grabitjet e ndodhura në rrugën Qafë Kashar-Rinas, ka marrë statusin e dëshmitarit të penduar.
Pritet që gjykata sot të caktojë masën e sigurisë për të arrestuarin e 5-të të grabitjes së 3.2 milionë dollarëve më 9 shkurt.
Sot Policia ka vënë në pranga 1 tjetër person, pjesëtar i fisit Kupa.
Bëhet fjalë për Dash Kupën, teksa tani në kërkim mbetet vetëm Admir Murataj (Nika) që, sipas policisë, është ideatori dhe kapoja i grupit, ndërsa Çerpja, me të cilin ka lidhje familjare, konsiderohej si krahu i tij i djathtë.
Admir Nikaj është emri i tij vërtetë. Ai njihet me 13 identetite të tjera dhe një prej tyre është Admir Murataj.
Nikaj është me origjinë nga Tropoja dhe familja e tij ka ardhur në Fushë-Prezë. Admir Nikaj njihej më herët nga policia, pavarësisht se aktiviteti i tij nuk ka qenë në Shqipëri, por jashtë vendit.
Ka qenë i arrestuar në Greqi dhe i arratisur nga burgu i Trikallës, të dhëna që tashmë janë bërë të ditura për publikun. Por një tjetër detaj lidhur me të është se ka qenë pjesë e grupit të Marjan Kolës, pjesë e të cilit është edhe Ilir Kupa i mbijetuar i atij grupi.
Duket një grup që nuk ka emër në Shqipëri, por mund të thuhet se aktivitetin e ka patur mjaft intensiv jashtë.