Aktualitet Truri i grupit në Belgjikë, shkatërrohet banda shqiptare që trafikonte kanabis në...

Truri i grupit në Belgjikë, shkatërrohet banda shqiptare që trafikonte kanabis në gjithë Europën

Europol shkatërroi të enjten (6 shkurt) një rrjet shqiptar të krimit të organizuar, duke vënë në pranga 25 persona.

Operacioni në të cilin u përfshinë 600 oficerë policie në terren, u zhvillua paralelisht në Belgjikë, Spanjë, Holandë, Gjermani dhe Francë.

Hetimi për rrjetin kriminal kishte nisur që në vitin 2017.

Hetimi i drejtuar nga Policia Lokale e Antwerp zbuloi se droga po trafikohej përmes kontejnerëve në Belgjikë përpara se të shpërndahej më tej në të gjithë Evropën duke përdorur automjete të pajisura me ndarje të sofistikuara të fshehura.

I njëjti grup kriminal dyshohet se menaxhonte plantacionet e kanabisit në Spanjë dhe Gjermani, ku ata kultivuan dhe përpunuan marijuanën, përpara se të transferohej në vendet e tjera të Evropës për shitje dhe shpërndarje të mëtejshme.

Finalizimi i operacionit rezultoi me 9 arrestime në Belgjikë, 6 arrestime në Spanjë, 3 arrestime në Holandë, 6 arrestime në Gjermani dhe një arrestim tjetër në Francë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të arrestimeve në 25.

U ushtruan kontrolle në rreth 30 banesa dhe u shkatërruan 6 plantacione me marijuanë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 60 000 € cash, telefonë celularë, armë dhe municion.

Mendohet se truri i rrjetit kriminal është në mesin e të arrestuarve në Belgjikë.

Grupi ishte i mirëorganizuar në mënyrë hierarkike, me degë që vepronin ndërkombëtarisht.

Disa nga anëtarët e saj të arrestuar kanë një histori të trafikut të drogës në vende të ndryshme.