Gjashtë autoambulanca kanë mbërritur sot nga Turqia në komandën Mbështetëse të Forcave të Armatosura, si pjesë e flotës së ndërhyrjes së shpejtë të Agjencisë së Emergjencave Civile.
Në komandën mbështetëse brenda pak javësh do mbërrijnë edhe qindra uniforma, çadra e pajisje që do të modernizojnë operacionet për emergjencat civile.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, në ceremoninë e marrjes në dorëzim të autoambulancave theksoi se këto janë si mini urgjenca lëvizëse, ndërsa shtoi se po i japim imazhin dhe vëmendjen që meriton Emergjencave Civile.
“6 autoambulancat e mbërritura sot janë mjetet e para të sigurura falë grantit të qeverisë Turke të siguruara për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura për modernizimin e FA. Dua të shpreh mirënjohje të dyfishtë për Turqinë, miken dhe aleaten tonë, që edhe pse po përballet edhe vetë me këtë armik të padukshëm, siç është COVID 19, sërish ka një vëmendje ndaj nesh”,- theksoi ajo.
“Një falenderim kam edhe për ambasadorin e Turqisë në Tiranë, që bëri të pamundurën për mbërritjen e këtyre ambulancave. Janë në vetë-vete një mini urgjencë, një mini-spital, janë të kompletuara me elementët e nevojshëm, që nga respiratori për rrugët e frymëmarrjes, po ashtu janë kompletuara me mjetet e imobilzimit të frakturave..etj”,- tha Xhaçka.
“Që sot këto autoambulanca do jenë pjesë operacionale e Forcave të Armatosura në kuadër të emergjencave civile dhe në rast nevoje do atashohen dhe në spitalin e traumës për urgjencat mjekësore, pasi në kuadër të problematikës së krijuar nga COVID 19, në këtë spital po kryhet një pjesë e mirë e shërbimeve mjekësore të atyre shërbimeve dhe trajtimeve që kryeshin tek QSUT”,- shtoi Ministrja e Mbrojtjes.
“Këto auto-ambulanca janë vetëm fillimi i transformimit të Emergjencave civile, që po transformohen nga një drejtori me 10-të persona, në një agjenci me mbi 100 inxhinierë e specialistë, të aftë për të koordinuar me pushtetin qendror e lokal për planifikimin, parandalimin, reagimin në rastet e fatkeqësive natyrore”,- tha ajo.
Përfaqësuesi i Ambasadës Turke, shprehu ngushëllimet e tij për jetët e humbura nga COVID 19, ndërsa nënvizoi se bashkëpunimi me Turqinë do të vijojë edhe në të ardhmen.
“Në emër të ambasadorit të Turqisë dua të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për jetët e humbura nga COVID 19 dhe urojmë gjithashtu urim sa më të shpejtë për të prekurit nga kjo pandemi. Jemi të bindur se në të gjitha përpjekjet e qeverisë shqiptare, populli shqiptarë do ja dalë të jetë fitues ndaj COVID 19”,- tha ai.
“Turqia gjithnjë ka ndenjur pranë Shqipërisë në kohë të vështira dhe me dhurimin e këtyre 6 ambulancave, ne thjeshtë po vazhdojmë traditën që kemi. Kjo nuk ishte parashikuar ekzaktësisht për këtë betejën ndaj COVID 19, por jemi të lumtur që duke qenë se jemi në këtë luftë, urojmë që qeveria shqiptare përmes këtyre autoambulancave të përballet më mirë edhe ndaj kësaj pandemia”,- tha ai.
Faleminderit dhe njëherë zonja ministre për rivënjen në jetë të kësaj marrëveshje që prej shumë vitesh nuk vijonte dhe kjo duhet të realizohet mes dy aleatëve siç janë vendet tona. Përmes këtij mekanizmi ndihmat e qeverisë turke do vijojnë të jepen për popullin shqiptarë”,- përfundoi përfaqësuese i Ambasadës së Turqisë në Tiranë.