Pas skanerit të kryer, mëngjesin e sotëm, mjekët vënë re një gjendje të përmirësuar edhe pse ende ndodhet në koma.
Megjithatë, mjekët kanë vendosur që ta mbajnë avokatin Sokol Mëngjesi edhe 2 ditë në intubim për të mos rrezikuar, ndërkohë që pritet të bëhet zgjimi gradual i tij pasi ilaçet që e mbanin në gjendje kome i janë ndërprerë gradualisht.
Avokati u dhunua mëngjesin e së mërkurës së 29 majit, rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Ai u dërgua me urgjencë në spital, në gjendje të rënduar.
Policia tha se sulmi ndaj avokatit ka ndodhur për shkak të detyrës. Një nga autorët e sulmit ndaj tij u vetëdorëzua, ndërsa u shpallën në kërkim 3 autorët e tjerë të dhunës.
Dy ditë më parë, gjykata e Tiranës la në burg Dritan Nanon, i cili u arrestua si organizator i dhunës ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, si edhe Dorian Alian, një nga agresorët e sulmit ndaj avokatit.
Edhe për 3 agresorët e tjerët që janë në kërkim nga policia, Drivaldo Alia, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku, është caktuar masa “arrest me burg” në mungesë.