Ata ishin miq të ngushtë, aq sa protesta e dhjetorit ’90 i gjeti bashkë duke marrë rrugën për në “Qytetin Studenti”. Që aty nisi rrugëtimi mes shokëve që u konsolidua ne bashkëpunim: Sali Berisha president e Besnik Mustafaj ambasador në Francë.
Raporti pari ulje-ngritje, si atëherë kur presidenti i kërkoi diplomatit që në emër të Shqipërisë t’i hakërrehej Zhak Shirakut “ti je një komunist!” Ambasadori Mustafaj sigurisht që nuk e bëri atë gafe.
Ujërat rrodhën deri me 2007, kur ish-presidenti ishte bërë kryeministër dhe ish-ambasadori ishte emëruar ministër i Jashtëm. Diçka e mistershme ndodhi, shefi i diplomacisë dha dorëheqjen, për arsye personale siç tha ai.
Dorëheqja shënoi edhe fundin e një miqësie të gjatë mes Sali Berishës e Besnik Mustafajit. Një marrëdhënie e ngrire për një dekade, por jo armiqësore.
Mbrëmë, Berisha e Mustafaj ishin në darkë pranë njeri-tjetrit. Por, çfarë i bashkoi dy ish-bashkëpunëtoret e vjetër?
“Darke me miq te shquar! Ish Keshilltari i Sigurise Kombetare te SHBA gjenerali James Jones, mik i shquar i Shqiperise dhe kombit shqiptar, John Lord zv/president i Jones Group dhe kryetari i Partise Republikane Fatmir Mehdiu e Ish iministri i jashtem, shkrimtari Besnik Mustafaj.
Gjate darkes, ne nje atmosfere te hapur miqesore u shkembyen mendime per çeshtje te sigurise dhe ciber sigurise rajonale dhe globale. sb”, shkruajti Berisha në Facebook-un e tij.
Një miqësi e ringjitur apo një darkë formale me “shkrimtarin”? Askush s’mund ta thotë qartësisht.