U nis vajza”. Neim Avdulaj, ish-komandoja i arrestuar si një nga autorët e grabitjes së 3.2 milionë dollarëve në rrugën e Rinasit, ka dërguar këtë tekst përmes aplikacionit “Ëhatsapp” te një prej të dyshuarve të tjerë, të pozicionuar ndërkohë pranë vendit ku u bë grabitja, raporton “Panorama”.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, ky ka qenë mesazhi i koduar, përmes të cilit të dyshuarit si bashkëpunëtorë të tij kanë mësuar se eskorta që do të transportonte paratë drejt Rinasit kishte dalë nga një filial i BKT-së pranë Rrugës së Elbasanit.
Referuar hetimit, në momentin e dërgimit Avdulaj ka qenë i ulur në një kafene përballë bankës së nivelit të dytë, nga ku kishte pamje të plotë mbi lëvizjet në institucionin financiar.
Detajet janë lexuar nga përfaqësuesit e Prokurorisë gjatë seancave gjyqësore për dy të arrestuarit e tjerë të grabitjes së Rinasit, Neim Avdulaj dhe Ernest Kupa. Sipas Prokurorisë, përveç informatorit, i dyshuari Avdulaj ka studiuar për muaj të tërë vendin ku do të bëhej grabitja.
Për gati 8 muaj ai dyshohet se ka “inspektuar” aksin kthesa e Kasharit-Rinas për të gjetur vendin më të përshtatshëm për t’i bërë pritë eskortës së blindave të bankës. Po ashtu, për shkak të shpeshtësisë së kalimit të eskortave që transportojnë vlera monetare në këtë rrugë, ai ka vërejtur mënyrën e lëvizjes së tyre, numrin e automjeteve nga të cilat shoqëroheshin, si dhe shpejtësinë e lëvizjes në segmente të caktuara të rrugës.
Gjykata e Tiranës shqyrtoi dje kërkesat e Prokurorisë për caktim mase sigurie edhe për dy të prangosurit e tjerë të dyshuar si pjesëmarrës në grabitjen e 9 shkurtit në rrugën e Rinasit, Neim Avdylaj dhe Ernest Kupa. Ata mbërritën në gjykatë në dy automjete të ndryshme, në një diferencë kohore prej 10 minutash nga njëri-tjetri.
Nuk u bë e ditur nëse ky veprim u ndërmor për efekt sigurie, apo në sajë të një urdhri që dy të arrestuarit të mos kontaktonin me njëri-tjetrin. Seanca e parë në radhë ishte ajo në ngarkim të ish-komandos Neim Avdulaj.
Burime brenda seancës me dyer të mbyllura bënë me dije se Avdulaj ka
nisur të rrëfejë mbi rolin e tij si vëzhgues i grupit të grabitësve. Por në vijim, deklarimi i tij është ndërprerë nga mbrojtësi ligjor. Duke pretenduar se nuk është njohur me dosjen e Prokurorisë, mbrojtësi ka rezervuar të drejtën e klientit të tij për të dhënë shpjegime në një fazë të mëvonshme.
Në seancën tjetër, i dyshuari Ernest Kupa është shprehur i qartë në qëndrimin e tij. Sipas burimeve, Kupa nuk ka pranuar të jetë i përfshirë në ngjarje.
“Nuk kam asnjë lidhje me grabitjen, apo me ato që thonë prokurorët”, mësohet të jetë shprehur ai në sallën e gjyqit. I njëjti qëndrim është mbajtur edhe nga avokati i tij mbrojtës, i cili i ka kërkuar gjykatës një masë më të butë sigurie se ajo e “arrestit në burg”.
Pasi u njoh me kërkesat e palëve dhe u tërhoq në dhomën e këshillimit, gjyqtarja Fida Osmani vendosi vlerësimin e ligjshëm të ndalimit nga policia të Avdylajt dhe Kupës dhe caktimin ndaj tyre të masës së sigurisë “arrest në burg”.