Pas deklaratës së përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku u bë me dijeni finalizimi i një operacioni 3-vjeçar që solli shkatërrimin e 4 grupeve kriminale, 57 të arrestuar dhe 8 të tjerë në kërkim, ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri e cilësoi operacionin “LIMIT” si një sukses shumë të madh të Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Krimeve të Rënda, agjencive të tjera dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë.
“Operacioni ndërkombëtar “LIMIT” shkatërroi sot katër grupe te organizuara kriminale me veprimtari në fushën e narkotikëve. 57 persona, në Greqi dhe në Shqipëri janë vënë përpara ligjit.
Ky është një sukses shumë i madh i Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Krimeve të Rënda, agjencive të tjera dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë. “LIMIT” është kulmi i një serie të madhe goditjesh që krimi i organizuar ka marrë këtë vit.
Vetëm gjatë këtij viti, ”FORCA E LIGJIT” ka finalizuar 28 operacione, në fushën e trafikut të narkotikëve janë arrestuar gjithsej 170 persona, janë sekuestruar rreth 55 milion Euro dhe shumë gjëra të tjera. Por asgjë nuk mbyllet me kaq. Operacioni vazhdon. Lufta kundër krimit të organizuar do të njohë vetëm përshkallëzim të mëtejshëm në funksion të përmbushjes së objektivave të mëdha për një Shqipëri të zhvilluar, demokratike dhe europiane.
Përgëzimet më të mira për Policinë e Shtetit, Prokurorinë e Krimeve të Rënda, agjencitë e tjera shqiptare të përfshira si dhe për partnerët ndërkombëtarë të angazhuar në këtë operacion”, shkroi ai.