Rreth 4 orë pas shpalljes non grata nga Sekretar i Departamentit të Shtetit të SHBA, Antony Blinken, ka ardhur dhe reagimi i ish- kryeministrit Sali Berisha.
Në një postim në rrjetet sociale, Berisha hedh poshtë akuzat për korrupsion. Sipas tij në 30 vite karrierë politike nuk ka ekzistuar kurrë asnjë akuzë për abuzim të fondeve publike dhe çfarëdo lloj tjetër korrupsioni në drejtim të tij.
Ai kërkon bërjen publike të çdo dokumenti që e përfshin atë në korrupsion, ndërsa shton se në pushtet dhe jashtë tij ka mbrojtur vetëm interesin publik kombëtar.
Berisha akuzon Sorosin se e ka kërcënuar për qëndrimin e tij kundër ndryshimit të kufijve në Kosovë, teksa e cilëson atë si korruptorin kryesor të politikanëve të sotëm dhe si një armik të vërtetë të demokracisë në Shqipëri.
Reagimi i Sali Berishës:
Përgjigje zotit Antony Blinken, Sekretar i Departamentit të Shtetit për vendimin e tij për të ndaluar hyrjen time në SHBA!
Zoti Sekretar!
Nga mediat u njoha me vendimin tuaj të shpallur ne twitter për të ndaluar hyrjen time ne SHBA.
Lidhur me këtë vendim dua të shpreh sa vijon.
Gjatë 30 viteve ne politike nuk ka ekzistuar kurrë asnjë akuzë në adresë time, nga asnjë person, asnjë institucion vendas apo i huaj për abuzim të fondeve publike dhe çfarëdo lloj tjetër korrupsioni.
Shtoj gjithashtu se gjatë të gjitha viteve të mia në pushtet, por dhe deri më sot, familjarët e mi nuk kanë përfituar kurrë nga fonde dhe asete publike dhe kanë zbatuar me rigorozitet të plotë ligjet e vendit. Ata deri më sot nuk kanë qenë kurrë nën akuzë nga drejtësia shqiptare apo e ndonjë vendi tjetër.
Duke shprehur keqardhje për vendimin dhe duke e konsideruar atë pa asnjë bazë konkrete, ju ftoj të bëni publike çdo fakt e dokument që administrata e juaj, apo kushdo në botë, mund të disponojë për të argumentuar pretendimin tuaj për mua dhe familjarët e mi.
Gjithashtu gjykoj se një ndër faktorët më kryesore që qeveria që unë kam drejtuar arriti të anëtaresojë Shqipërinë në NATO, të firmosë Marrëveshjen e Stabilizimit Asociimit dhe liberalizojë vizat me Bashkimin Europian, të arrijë nivelin e pragut të MCAC, dhe të tërheqë investime madhore, por edhe të shënojë kulme në marrëdhëniet midis dy vendeve tona mike, ka qenë lufta e suksesshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e dokumentuar kjo dhe në raporte dhe vlerësime të qeverisë së SHBA.
Gjatë 30 viteve në politikë unë kam patur në SHBA, dhe kam më shumë se në çdo vend tjetër, miq të mëdhenj, me të cilët ndihem gjithnjë krenar. Mirënjohja ime mbetet e pakufishme për gjithçka vendi i juaj i madh ka bërë për lirinë e kombit tim.
Po kështu jam përpjekur dhe nuk kam nguruar kurrë të marr çdo vendim në interes të përbashket midis dy vendeve.
Dua të theksoj se vendimi juaj nuk mund të lëkundë kurrë admirimin tim për vendin, kombin e madh e mik amerikan dhe miqtë e mi në SHBA.
Zoti sekretar!
Unë kam 8 vite që kam dhënë dorëheqjen nga çdo funksion drejtues dhe jam larguar nga pushteti por kam qëndruar i vendosur në mbrojtjen e interesit publik dhe kombëtar të shqiptarëve, ashtu siç i vlerësoj unë ato.
Unë kam denoncuar më shumë se kushdo tjetër në këtë vend publikisht brenda dhe jashtë vendit, krimin e organizuar shqiptar dhe bandat e tij, kartelet e drogës, lidhjet e tyre me zyrtarët më të lartë shqiptarë, por edhe të huaj, korrupsionin e papërmbajtur qeveritar në Shqipëri.
Po kështu unë kam mbështetur reformën në drejtësi e të gjitha ndryshimet kushtetuese, por kam kritikuar dhe denoncuar çdo akt të ndërmarrë në kundërshtim flagrant me amendamentet kushtetuese për vendosjen e kontrollit të plotë politik mbi sistemin e drejtësisë.
Unë gjithashtu kam denoncuar në mediat shqiptare dhe të huaja, duke ditur shumë mirë pozicionin por edhe lidhjet e panumërta të tij, multimiliardierin George Soros, si korruptorin më kryesor të politikanëve të sotëm dhe në gjykimin tim, si një armik të vërtetë të demokracisë në vendin tim.
Përveç kësaj kam denoncuar i pari dhe me forcën më të madhe, publikisht dhe vetëm publikisht, projektin e ndryshimit të Kufijve të Kosovës, i përgatitur nga fondacioni i George Sorosit në Beograd, për çka dhe jam kërcënuar për pasoja, por natyrisht nuk jam impresionuar.
Së fundi, duke mos pretenduar kurrë se unë jam i pagabueshëm, duhet t’ju garantoj se unë ndjehem krenar me të gjitha qëndrimet e mia dhe ju siguroj se ato kane qenë dhe do të jenë të motivuara vetëm nga interesi publik dhe kombëtar i kombit shqiptar dhe e vërteta, të cilat unë i kam mbrojtur njëlloj si sot edhe në kohën kur të rinjtë shqiptarë ekzekutoheshin në kufi për realizimin e ëndrrës së tyre amerikane.
Sinqerisht Sali Berisha!