Në disa qytete turke kandidatë të Partisë Republikane (CHP) arritën fitore. Po çfarë partie është kjo?
Cumhuriyet Halk Partisi (CHP) – në përkthim: Partia Popullore Republikane – u themelua në vitin 1923 nga themeluesi i shtetit turk, Mustafa Qemal Ataturku. Ajo është partia e parë, më e vjetra dhe më e suksesshmja parti e vendit. Asnjë parti tjetër nuk ka marrë më shpesh pjesë në qeveri. Deri në vitin 1945 ajo madje ishte e vetmja parti në Turqi.
Profili i partisë bazohet në të ashtuquajturat “gjashtë shigjeta”, që përfaqësojnë edhe logon e partisë.
-Republikanizmi
-Laicizmi
-Reformizmi (Modernizimi)
-Etatizmi
-Populizmi (Sovranitet i popullit/Demokraci)
-Nacionalizmi
Këto janë deri sot aspektet qendrore të “ideologjisë qemaliste”, të cilat do t’i ruajë dhe mbrojë CHP-ja.
Zhvillim ideologjik
Në vitet gjashtëdhjetë, CHP u hap edhe për vlerat socialdemokrate. Që atëherë, këtë parti mund ta shohësh si parti simotër të partisë socialdemokrate gjermane, SPD. Ajo ka qëndrim miqësor ndaj Evropës dhe e sheh një anëtarësim të Turqisë në Bashkimin Evropian si një hap të nevojshëm për modernizim. Në tërësi, CHP ka një qëndrim pozitiv ndaj Evropës dhe Perëndimit. Themeluesi i partisë Atatürk e vazhdoi përshtatjen osmane të vonë ndaj Perëndimit dhe reformoi drejtësinë, ekonominë, ushtrinë dhe politikën sipas modelit të shteteve evropiane.
CHP ka një klientelë shumë më të shkolluar dhe me të ardhura më të larta se partia islamiste-konservatore AKP, e cila si tendencë i drejtohet popullatës më të paarsimuar të fshatrave. Mbështetës ose simpatizantë të CHP kishin për dekada pozicione të rëndësishme në drejtësi, ushtri, arsim dhe kulturë.
Në këtë mënyrë u ndjenë të denigruar turqit fetarë dhe fshatarë. Qemalizmi perceptohej nga kjo shtresë e popullatës si antifetar dhe që donte të prishte traditat ekzistuese. Për shembull, Qemal Ataturku i ndaloi që të mbahen në godina publike qeleshen dhe shaminë tradicionale të kokës, që në Turqi quhen Fes. Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan dhe partia e tij, AKP mundën të nxjerrin kapital nga kjo atmosferë.
Rënie pikiatë e CHP – ngjitje e AKP
Ndikimi i CHP-së ra shumë pas fitores së parë në zgjedhje të AKP-së në vitin 2002. Që atëherë, kjo parti pas AKP-së është gjithnjë në pozitë më të disfavorshme. Rivalja konservatore ka arritur madje që në shumicën e zgjedhjeve parlamentare të sigurojë shumicën.
Kjo bëri që në njëzet vitet e shkuara të niste një ndryshim pushteti dhe ndryshim kulturor që përfshiu gjithë shoqërinë. Erdogani e konsolidoi pushtetin, duke e zëvendësuar elitën e vjetër kemaliste, veçanërisht në medie, drejtësi dhe në ushtri, me një elitë të re konservatore. Rivaliteti midis CHP dhe AKP-së pra është më tepër se i natyrës politike. Partitë veprojnë si të thuash si kundërpole në një luftë kulturore.
Daniel Bellut/DW