Familja, të afërmit, miqtë dhe dashamirësit i kanë dhënë lamtumirën e fundit 20-vjeçares shqiptare e cila u vra nga i ati më 25 Korrik në Australi.
Vëllai i saj 11-vjeçar Pyrrhus, nëna e saj Romina dhe gjyshja me origjinë shqiptare vajtuan të ndjerën. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dy javë më parë, ku Petrit Lekaj dhe vajza e tij Sabrina Lekaj u gjetën të përgjakur në makinën e kësaj të fundit. 20-vjeçarja u gjet e pajetë, e vrarë nga disa goditje me thikë. Babai i saj 49-vjeçar, u gjet me plagë në bark dhe u dërgua në spital, në gjendje kritike.
Ngjarja e rëndë ndodhi në Kidman Park, në Adelaide të Australisë, aty ku jetonte familja shqiptare.
Një orë përpara se të gjendeshin në automjetin luksoz të 20-vjeçares, nëna e saj kishte ngritur alarmin tek policia, e shqetësuar sepse nuk po i gjente.
Sipas policisë, ai dyshohet se pasi vrau të bijën, tentoi të vriste veten duke u vetëgoditur me thikë në bark. Babai i dy fëmijëve u njoh me akuzën nga spitali, ku qëndron nën kujdesin mjekësor dhe në ruajtje nga policia.
Natën e ngjarjes së rëndë, Sabrina kishte dalë të festonte përfundimin e një periudhe intensive provimesh. 20-vjeçarja ishte studente mjekësie. Ajo ishte pranuar në Universitetin e Australisë Jugore, pasi kishte dalë shkëlqyeshëm në provime. Sabrina ishte gjithashtu pianiste mjaft e talentuar.