Dalja në dritë e së vërtetës së vrasjes së Caroline Crouch nga bashkëshorti i saj grek tronditi tërë shtetin helen dhe jo vetëm. Babis Anagnostopoulos pranoi para policisë se kishte qenë ai vetë që e ka mbytur gruan e tij dhe jo grabitës shqiptarë siç pretendonte në fillim. Në vijim të hetimeve janë zbuluar detaje tronditëse për marrëdhënien mes 32-vjeçarit dhe 20-vjeçares, të cilët në fakt ishin edhe prindër të një vajze 11-muajshe. Caroline Crouch i ka shkruar në një ditar të gjitha abuzimet ndër vite deri në momentin që përfundoi me vrasjen brutale.
Disa fragmente të këtij ditari u bënë publike për shtypin pasi bashkëshorti pranoi vrasjen, megjithatë ditari i plotë është ndaluar tashmë që të publikohet. Arsyeja për prokurorët grekë është e thjeshtë. Të dhënat në ditar mund të ndikojnë në gjyqin ndaj pilotit. Sipas prokurorit, publikimi i ditarit mund të ndikojë në uljen e dënimit ndaj pilotit. Aktualisht Anagnostopoulos rrezikon dënim të përjetshëm për akuzat për vrasje, abuzim me kafshët, dëshmi të rreme dhe kallëzim të rremë në polici për grabitjen e pretenduar.
“Publikimi i ditarit jo vetëm ofendon kujtimin e viktimës, por mund të kontribuojë në krijimin e një klime të favorshme për të pandehurin”, tha thënë Vassilis Pilotis. Prokurori ka kërkuar një hetim edhe për daljen e disa detajeve nga ditari.
Besohet se në ditar, Caroline ka treguar për të gjitha abuzimet e bashkëshortit ndaj saj. Në disa fragmente flitet qartë për një martesë kontrolluese me pilotin grek, deri në pikën që ajo e kërcënoi se do të ndahej. Në Korrik të vitit 2020 një muaj pasi lindi vajzën, Caroline planifikonte që të lëvizte nga shtëpia ku qëndronin.
Më herët, në Dhjetor të 2019, ajo ka shkruar për zënka serioze me burrin e saj, duke përshkruar me detaje se në një moment ai e ka goditur dhe ka shkuar deri aty sa ka thyer një derë. Ajo është shprehur se pati planifikuar që të ndahej nga partneri, me të cilin pranonte se ishte në dashuri, por lidhja po e lëndonte. Në disa fragmente të tjera, ajo fajësonte hormonet e saj për argumentet mes çiftit, saqë ndihej në siklet që ndikonin kaq shumë tek ajo.