Nëntë vjet pas zhdukjes, ringjallen shpresat për gjetjen e Bleona Matës, vajzën e cila u zhduk në mënyrë misterioze në 22 maj 2010, teksa kulloste bagëtitë bashkë me shoqet e saj në një fshat të Kukësit.
Policia britanike, Rrjeti Global i Fëmijëve të Humbur dhe Qendra Kombëtare për Fëmijët e Humbur në Shqipëri, kanë hapur kërkimet për Bleona Matën në Mbretërinë e Bashkuar.
Lajmin e ka dhënë Drejtori i CRCA, Altin Hazizaj, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shkruan: “Le të shpresojmë fort që do ta gjejmë së shpejti Bleonën!”
Me 20 mars ekspertët ndërkombëtarë amerikanë në bashkëpunim me ‘alo 116’, linja kombëtare e Këshillimit për fëmijët, realizuan pamjen e Bleonës sot, me foto nga nëna babai dhe vëllai i saj më i vogël, në përafrimin që ajo ka me familjarët e saj.
Identikiti është realizuar me qëllimin për të ndihmuar kërkimet për vajzën e zhdukur në mënyrë misterioze për të cilën ende nuk dihet asgjë.
Bleona Mata, atë kohë 5 vjeçe, u rrëmbye 9 vite më parë në fshatin Zapod të Kukësit nga persona të panjohur dhe që ai nga ai moment asgjë nuk dihet për fatin e vogëlushes.
Pavarësisht kërkimeve të familjes, nuk ka asnjë autor të dyshuar për rrëmbimin misterioz. Familjarë të saj u morën në pyetje nga policia, si të dyshuar për ngjarjen, por deri më sot nuk është zbuluar asgjë nga zhdukja e saj.