Bota Britania drejt Brexit pa ujdi, May: Nuk kam mbështetje për votimin e...

Britania drejt Brexit pa ujdi, May: Nuk kam mbështetje për votimin e tretë

Britania e Madhe po shkon drejt një largimi pa ujdi nga Bashkimi Europian. Një gjë e tillë u konfirmua nga kryeministrja Theresa May, e cila duke folur në Dhomën e Komunëve, pranoi se nuk zotëron mbështetje nga ligjvënësit për të mbajtur një votim të tretë për marrëveshjen e saj për Brexit.

Pavarësisht këtij fakti, ajo theksoi se do të vazhdojë bisedimet me deputetët për të arritur mbështetjen e tyre.

“Vazhdoj të besoj se rruga e duhur për të ecur përpara është që Mbretëria e Bashkuar të largohet nga BE sa më parë të jetë e mundur me një marrëveshje. Por me keqardhje të madhe më duhet të pranoj se aktualisht nuk ka mbështetje të mjaftueshme që ta risjell ujdinë në Parlament për një votim të tretë”, tha May.

May u detyrua ta shtynte datën fillestare të largimit për shkak të ngërçit me aprovimin e marrëveshjes për Brexit. Tani Britania do të dalë nga BE me 22 maj nëse aprovohet ujdia për Brexit brenda kësaj jave.

Në të kundërt, Londra duhet që deri me 12 prill të ofrojë një plan të ri ose të pranojë largimin pa ujdi. Për të kaluar marrëveshjen, May duhet të bindë të paktën 75 deputetë. Lideri i opozitës laburiste tha se qasja e qeverisë për Brexit është kthyer në turp kombëtar. Bashkimi Europian beson se skenari i Brexit-it pa ujdi ka më shumë gjasa të ndodhë. Për këtë, Brukseli ka përfunduar të gjitha parapërgatitjet.