Administrata Trump njoftoi se do të miratojë udhëzime të reja duke u kërkuar amerikanëve të mbulojnë fytyrën kur dalin nga shtëpia, në një përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit të ri. Dje gjatë një konference për shtyp Presidenti vazhdoi të mbrojë në mënyrë agresive përgjigjen ndaj krizës së shëndetit publik. Edhe kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Bill de Blasio, këshilloi banorët e qytetit të mbylojnë fytyrën kur dalin jashtë me qëllim parandalimin e sëmundjes.
Udhëzimet e reja të administratës Trump do të jenë kryesisht për ata që jetojnë në zona të goditura rëndë nga virusi, i cili ka gjetur terren për t’u përhapur në shkallë të gjerë mes anëtarëve të komunitetit.
“Mendoj se do të dilet me rregullore mbi këtë çështje. Njerëzit do të jenë të lirë ta respektojnë ose jo. Nuk mendoj se do të jetë e detyrueshme, megjithëse disa njerëz do të donin që ta bënin një gjë të tillë. Pra, nëse njerëzit duan diçka si shembull në vend të maskës mund të përdorin shallin, disa po e bëjnë këtë. Shalli është më i mirë, është më i trashë”.
Një zyrtar në dijeni të diskutimeve të grupit task force të ngritur në Shtëpinë e Bardhë për administrimin e situatës tha se zyrtarët do të sugjerojnë përdorimin e maskave jo-mjekësore, nga bluzat tek shamitë, për të mbuluar hundën dhe gojën kur ndodhen jashtë shtëpisë, në dyqane që tregtojnë ushqime apo farmaci. Maskat e kategorisë mjekësore, veçanërisht ato të cilat mungojnë në treg sikurse N95, do të rezervohen për ata që merren direkt me të sëmurët. Zyrtari foli në kushte anonimiteti mbi udhëzimet e propozuara përpara daljes në publik. Presidenti Trump, i cili e kishte kryer përsëri testin për koronavirus të enjten duke përdorur një test të ri, më të shpejtë, tha se do ta mbështesë një rekomandim të tillë.
Edhe Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Bill de Blasio këshilloi banorët e qytetit të mbulojnë fytyrën kur dalin jashtë me qëllimin për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Në një konferencë për shtyp ai tha se për të mbuluar fytyrën mund të përdoret shalli apo diçka e krijuar në shtëpi.
“Mund të jetë diçka që krijoni vetë në shtëpi. Mund të jetë një shami. Nuk është e nevojshme të jetë një maskë kirurgjikale profesionale. Duhet t’ua lëmë maskat atyre njerëzve që kanë më shumë nevojë, atyre që shpëtojnë jetë”, tha de Blasio.
Zoti De Blasio tha që policia e Nju Jorkut nuk do të detyrojë zbatimin e këtyre këshillave.
“Do të jetë vetëm këshillë, sepse kemi gjëra shumë më të rëndësishme për të cilat mendojmë se do të shërbenin më mirë nëse do të ishin të detyrueshme për t’u zbatuar”.
Në rezervat emergjente të qeverisë amerikane thuajse nuk gjen pajisje mbrojtëse për mjekët dhe infermierët. Guvernatorët dhe punonjësit e shërbimit të kujdesit shëndetësor në të gjithë vendin vazhdojnë të kërkojnë me ngulm pajisje mjekësore siç janë ato që shërbejnë për frymëmarrje për pacientët me pacientët COVID-19./VOA