Bota ‘Ulje e vështirë’, pse mediat iraniane nuk përdorin termin ‘rrëzim’ të helikopterit...

‘Ulje e vështirë’, pse mediat iraniane nuk përdorin termin ‘rrëzim’ të helikopterit të presidentit Raisi

Presidenti Ebrahim Raisi pranë helikopterit me të cilin u rrëzua

Media iraniane po përdor frazën ‘ulje e vështirë’ për të përshkruar rrëzimin e helikopterit të presidentit Ebrahim Raisi.

‘Ulje e vështirë’ është një frazë që përdoret shpesh nga autoritetet në Rusi për të përshkruar rrëzimin e avionëve. Përdoret në mënyrë të zakonshme nga Ministria e Mbrojtjes ruse, kur raporton aksidente të avionëve ushtarakë.

Për shembull, në Qershor të vitit 2022, një avion ushtarak mallrash u rrëzua në rajonin Ryazan të Rusisë, duke vrarë të 5 anëtarët e ekuipazhit. Ushtria ruse e përshkruajti ngjarjen fillimisht si ‘ulje e vështirë’, pavarësisht faktit se avioni ishte shkatërruar thuajse plotësisht si pasojë e përplasjes.

Analistët thonë se fjala “rrëzim” apo “përplasje” shmanget nga zyrtarët rusë për shkak të frikës se mund të shkaktojë zemëratë apo panik.

Një operacion masiv po zhvillohet në zonën malore në veriperëndim të Iranit, aty ku helikopteri që transportonte presidentin Ebrahim Raisi dhe Ministrin e Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian, u zhduk më herët këtë të diel. Mediat vendase raportojnë se në vendin e ngjarjes ndodhen më shumë se 40 skuadra kërkim shpëtimi, që po përdorin qen e dronë, për të gjetur presidentin.

Raisi po kthehej nga një zonë pranë kufirit Iran-Azerbajxhan, ku kishte qenë për të inauguruar dy diga me homologun azer Ilham Aliyev. Ky i fundit u shpreh i “thellësisht i shqetësuar” për lajmin se helikopteri ishte rrëzuar dhe tha se Azerbajxhani ishte gati të ofronte ndihmë nëse do të ishte e nevojshme.

Ndërkohë, Ministri i Brendshëm iranian tha se do të duhej kohë për të shkuar në vendin e ngjarjes për shkak të motit të keq dhe zonës së mbuluar me mjegull.