Papa Françesku ka përkujtuar në mesazhin e tij Urbi et Orbi viktimat e dhunës dhe të përndjekjeve. Në ditën e Krishtlindjeve ai në veçanti foli për vuajtjet e fëmijëve në vatrat e konflikteve.
Bekimin e tij tradicional “Urebi et Orbi”, të shprehur në sheshin e Vatikanit, Papa Françesku ia kushtoi globit dhe gjendjes në shumë rajone të botës. Në mesazhin e tij për Krishtlindjet, Papa në veçanti foli për qindra mijëra njerëz, të cilët edhe në kohën e festave gjenden larg shtëpive të tyre, për shkak të krizave dhe konflikteve. Padrejtësia po i detyron njerëzit të kalojnë shkretëtira dhe detëra, të cilat po shndërrohen në “varreza”. Refugjatët po përballën në kampe të ndryshme me kushte jo njerëzore, ndërsa shumë prej tyre “po mbahen edhe në burgje ilegale, po keqtrajtohen dhe mundohen”. Në këtë kontekst ai në veçanti përmendi Libinë.
Papa foli edhe për politikën jo të duhur në shumë vende të Evropës. Njerëzit në ikje po përballen me “mure dhe indiferenca”, në përpjekjet e tyre për një jetë me më shumë shpresa dhe vlerë.
Thirrja e Papës për paqe në botë
Në mesazhin e tij në Sheshin e Pjetrit, Françesku kujtoi edhe vuajtjen e njerëzve në vendet e konflikteve, si në Republikën Demokratike të Kongos. Ai u ankua për gjendjen e mjerë të shumë njerëzve që po përballen me sëmundje, dhunë dhe katastrofa natyrore. Françesku kujtoi edhe vendet e konflikteve fetare, si Burkina Faso, Mali, Nigeri dhe Nigeria.
Papa shpreson vendosjen e paqes së përhershme në vendlindjen e Krishtit, në Lindjen e Mesme. Ai kujtoi edhe konfliktet në Siri, Irak dhe Liban, si dhe gjendjen e rëndë humanitare në Jemen.
Një mesazh i posaçëm dërgoi për gjendjen në Amerikën Latine. Papa u bëri thirrje autoriteteve në Venezuelë që të mos pengojnë ndihmat humanitare për njerëzit në nevojë.
Papa ka bërë thirrje që njerëzit të mos humbin besimin tek Zoti, as në kohërat kur janë në gjendje të keqe.
“Le të sjellë Jezusi dritë për të gjithë anëtarët e vuajtur të familjes sonë njerëzore dhe të zbusë zemrat tona, shpesh të ftohta dhe egoiste, si dhe t’i bëjë ata kanale të dashurisë së tij”, u shpreh papa Françesku.