Edukatorja Majlinda Dehima që ushtroi dhunë mbi vajzën 3-vjeçare në kopshtin “Stinët” në kryeqytet është vënë në pranga.
Arrestimi i Majlinda Dehimës, ka ardhur pas kërkesës së Prokurorisë Tiranë për caktimin e masës së sigurimit “arrest me burg” ndaj Dehimës për veprën penale “keqtrajtim i të miturit”.
“Kjo masë u kërkua menjëherë pas marrjes në dorëzim ditën e sotme, më dt. 09.11.2023, të procesverbalit për kqyrjen e pamjeve filmike (usb), i cili është mbajtur më dt. 08.11.2023. Me shkresën nr. 9538/1 prot., dt. 08.11.2023, protokolluar në Prokurori me nr. 10983 prot., dt. 09.11.2023, Instituti i Mjekësisë Ligjore, ka përcjellë aktin e ekspertimit mjeko-ligjor. Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, po kryen veprimet e tjera procedurale për dokumentimin e faktit, në kuadër të procedimit penal nr. 7527, i regjistruar pas kallëzimit mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, Komisariati i Policisë nr.1, për Veprën Penale “Keqtrajtimi i të miturit”, parashikuar nga neni 124/b i Kodit Penal”, njofton Prokuroria Tiranë.
Ngjarja e rëndë u denoncua nga emisioni investigativ “Stop” në datën 6 nëntor, ndërkohë që dhuna e ushtruar nga të voglës ka ndodhur që në 1 nëntor.