Pushimet luksoze, rrobat e stilistëve dhe restorantet e shtresave të larta i përkasin të shkuarës, por mashtruesja që tani pret të bëjë deri në 15 vite burg, ka firmosur që jeta e saj të bëhet libër dhe film në Netflix. Dhe kontratën për librin e firmosi një prej personave që ishte mashtruar prej saj.
Vajza e një shoferi kamioni rus, e quajtur Ana Sorokin, shkoi në Nju Jork dhe u hoq si trashëgimtare miliardere gjermane, që kishte dëshirë të hapte një galeri arti 40 milionë dollarëshe në një prej rrugëve më ekskluzive të qytetit. Dhe kaq mjaftoi që hotele luksoze, restorante, banka, stilistë e drejtues revistash t’i hapin dyert e ta bëjnë shoqe për një kohë të gjatë.
Ajo u shpall fajtore në gjykatë për mashtrimin e hoteleve luksoze, restoranteve, kompanive që ofronin fluturime private, dhe bankave, për një dëm prej rreth 200 mijë dollarësh.
Teksa shtirej si e pasur, një shoqe e re nga elita e Nju Jorkut i kishte paguar një udhëtim luksoz në Marok, prej 60 mijë dollarësh. Veç kësaj, mashtruesja 28 vjeçare po përpiqej të merrte një hua prej 22 milionë dollarësh nga bankat.
Sado që gjykata e shpall fajtore, ajo mund të quhet një viktimë e epokës së Instagramit, që gjithashtu vërtetoi se gjërat sipërfaqësore, si veshjet prej stilistësh dhe sjellja prej pasanikeje, është ajo që vazhdon të të hapë dyert në shoqërinë e lartë.
“Shtiru derisa të kesh sukses, kjo është ajo që kuptoi Ana nga kjo shoqëri, dhe u përshtat”, e justifikoi avokati i saj mbrojtës në gjyq. Dhe shtoi: “Nuk mund të quhet mashtrim, sepse pasi të merrte fondet e të kishte sukses me planet e saj, Ana do t’i paguante të gjithë. Ajo thjesht i bëri njerëzit të besonin atë që kishin dëshirë të besonin”.
Por prokurorët nuk ishin dakord. Ata përmendën se si Ana ishte angazhuar plotësisht me mashtrimin, duke krijuar llogari të rreme bankare, dokumente të rreme, etj.