Shëndet Vaksina e Moderna kundër Covid-19 krijon imunitet të lartë te të moshuarit

Vaksina e Moderna kundër Covid-19 krijon imunitet të lartë te të moshuarit

Vaksina eksperimentale kundër Covid-19 e kompanisë Moderna duket se është e sigurt dhe prodhon një reagim të fortë imunitar tek të moshuarit, sipas të dhënave të reja nga testimet e fundit të paraqitura nga kompania në një takim në një Qendër Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Studimi i kryer në 20 të rritur mbi moshën 55 vjeç zbuloi se gati dy muaj pasi morën dozën e dytë të vaksinave, pjesëmarrësit kishin nivele antitrupash më të larta se ato të personave të shëruar nga COVID-19.

Gjetjet nga studimi i Modernas nuk janë rishikuar ose botuar në një revistë shkencore, por kompania pohoi se i ka dorëzuar rezultatet për një botim të rishikuar.

Vaksina eksperimentale kundër Covid-19 e kompanisë Moderna ka nisur në 27 korrik testimin në 30 mijë persona të shëndetshëm.

Kjo është faza e tretë e testimit të kësaj vaksine; në dy fazat e para, testimi në grupe më të vogla, vaksina ka rezultuar e suksesshme dhe ka mundur të sigurojë imunitet tek të gjithë pjesëmarrësit.