Bota “Vaksinimi në Itali do të nisë në 15 janar”

“Vaksinimi në Itali do të nisë në 15 janar”

Vaksinimi në Itali pritet të nisë nga 15 Janari. Këtë e pohon kreu i Këshillit të Lartë të Shëndetit në këtë vend, Franco Locatelli, i cili shprehet se Italia do të marrë vaksinat e para sapo ato të aprovohen nga agjencia evropiane e ilaçeve EMA.

“Besoj se mund ta kemi si dhuratë Krishtlindjesh, aprovimin e dy vaksinave të para dhe më pas, nga 15 Janari do të jemi në kushtet e duhura për të nisur vaksinimin”.

Në një intervistë për televizionin publik italian Rai 3, kreu i institutit më të lartë të shëndetit në këtë vend shpreh bindjen se në fundi i verës së vitit të ardhshëm do të sjellë fundin e pandemisë.

Vaksinat të cilave u referohet zyrtari i lartë italian i shëndetësisë, që janë në pritje të autorizimit për prodhim nga agjencia evropiane e ilaçeve, janë të parat anti-COVID që janë zhvilluar nga firmat amerikane Moderna dhe Pfizer. Të dyja këto firma përdorin metodologjinë inovative të ARN-së, për të cilën Locatelli hedh poshtë çdo dyshim mbi sigurinë e tyre.

Sipas tij mbetet për t’u vërtetuar se sa do të zgjasë imuniteti që krijojnë këto vaksina, testet për të cilat zgjasin me vite. Edhe Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh shpresëplotë se vaksinimi në Gjermani mund të niste që në Dhjetor të këtij viti.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka premtuar se vendet e Ballkanit Perëndimor do të furnizohen me vaksina të mjaftueshme nga Bashkimi Evropian.