Sport Jetë sociale si VIP dhe shumë paqartësi: Kush është doktori Luque, çelësi...

Jetë sociale si VIP dhe shumë paqartësi: Kush është doktori Luque, çelësi i misterit Maradona

Zhvillim i papritur në hetimin për vdekjen e Diego Armando Maradonës. Gjykatësi ka vendosur kontrollin e shtëpisë e zyrës së mjekut të tij personal, Leopoldo Luque, “i shndërruar në të hetuarin kryesor për momentin me akuzën vrasje e qëllimshme”

I ri, i qeshur, i sigurt, karizmatik. Po kush është me të vërtetë doktor Luque, neurokirurg? Sigurisht, një nga figurat kyçe në misterin Maradona. Ndikimi i tij ndaj Diego-s ka qenë shumë i madh kohët e fundit. Ka qenë ai që e ka operuar në tru në fillimin e nëntorit.

Dhe ka qenë ai që i ka telefonuar 911-ës për të njoftuar ambulancën nga shtëpia në Tigre ku Diego u gjet pa jetë mesditën e së mërkurës.

Një telefonatë që është një mister brenda misterit. Pse nuk ia ka përmendur në asnjë moment emrin e Maradonës ndihmës së shpejtë? Pse nuk ka qenë në atë shtëpi kur Diego ka vdekur, por ka ardhur vetëm më mbrapa? Duke parë se ishte mjeku i tij personal, a nuk duhej t’i kishte qëndruar më afër?

A ka të bëjë ndoshta fakti se një javë më parë kishte patur një diskutim të ndezur me Pibe-n, që e ka nxjerrë jashtë shtëpisë pasi e ka fyer?

Janë vetëm disa nga misteret që rrethojnë figurën e një personazhi që prej katër vitesh është bërë i njohur në Argjentinë falë miqësisë me ish-kampionin.

Dalje në tv, konferenca për shtyp, fotografi në gazeta, lokale të bukur, njerëz të bukur, postime në Instagram me Diego-n. 39 vjeç, sportiv, rebel, me një pasion për motorët.

Një shtëpi të bukur në Adrogue, lagje elegante me të pasur në zonën jugore të Buenos Aires ku  janë me shumicë pishina, një klinikë private në Avenida del Libertador. Një grua, Romina, edhe ajo mjeke, dhe dy fëmijë, Luna dhe Tomas. Pasioni për futbollin, me ndeshjet e të shtunave me miqtë.

Kohë më parë ka shpikur një program për t’u dobësuar me emrin “Maradona fitness’, falë së cilit Diego ka humbur 11 kilogramë. Të përbashkët me Diego-n ka origjinën gjeografike: ka lindur në Lanus, dy hapa larg Villa Fiorito, por në një kontekst social të ndryshëm me atë të kampionit.

Ka qenë mjeku i tij personal që nga 2016-ta.

“Natën para se ta takoja për herën e parë. nuk më ka zënë gjumi nga emocionet”, ka thënë doktor Luque pak kohë më parë. Kjo situatë i pëlqente. Ai takim i ka ndryshuar jetën. Personale dhe profesionale. Sigurisht, publiciteti nuk i mungonte.

Kur ka operuar Maradonën, menjëherë pas ndërhyrjes është paraqitur para mediave: “Diego është zgjuar dhe i kthjellët, ka reaguar shumë mirë”.

Nuk ka patur të njëjtin mendim doktor Alfredo Cahe, ish-mjeku i Diez, që e ka kritikuar ashpër vendimin për ta nxjerrë Diego-n kaq shpejt nga spitali: “Një çmenduri, duhej të qëndronte i shtruar”.

Pas ndërhyrjes, jashtë klinikës Olivos, Luque ka  bërë fotografi me qindra tifozë që ishin mbledhur aty prej ditësh për idhullin e tyre. “Gracias, doctor”, i kanë kënduar, duke e përqafuar dhe puthur, duke i dhuruar shalle dhe fanella.

Tani duan të dinë se çfarë ka ndodhur. Dhe jo vetëm ata.