Sport Valverde zgjedh momentin më të vështirë të vitit: Humbja ndaj Liverpool do...

Valverde zgjedh momentin më të vështirë të vitit: Humbja ndaj Liverpool do të na përndjekë gjatë

Sezonin e kaluar, Barça e kishte fituar 3-0 ndeshjen e parë gjysmëfinale të Champions-it në shtëpi, por u mund 4-0 në “Anfield”. Për pasojë, edhe u eliminua nga kjo garë, çka përbën një nga kujtimet më të këqija të vitit 2019 për tifozët katalanas. Trajneri Ernesto Valverde tha në një intervistë për “Barça TV” se deri në atë ndeshje kishin zhvilluar një Ligë Kampionesh të pabesueshme: “Ne ishim skuadra më e mirë në kompeticion, pa humbur asnjë ndeshje. E fituam 3-0 gjysmëfinalen e parë në shtëpi, pas një loje shumë të ngushtë. Më kujtohet se në kthim aktivizuam të njëjtin ekip (formacion) si në ndeshjen e parë. Ideja ishte që të shënonim një gol dhe të mos ndëshkoheshim shpejt nga kundërshtari. Disavantazhi 1-0 mbërriti shumë herët dhe psikologjikisht na kujtoi disfatën me Romën. Megjithatë, e patëm ndeshjen në dorë”.

Më tej, trajneri i kampionëve spanjollë shpjegoi se çfarë ndodhi në atë përmbysje epike për “Reds”, por shumë turpëruese për të dhe të tijtë: “Në pjesën e dytë ishin dy minuta fatale, në të cilat Liverpool shënoi dy gola. Aty dolëm jashtë binarëve, ndërsa kundërshtari mori zemër dhe besoi te kualifikimi. Ne u përpoqëm të reagonim, por rezultati 4-0 ishte goditje fatale. Duket e pabesueshme që kjo të ndodhë për një skuadër si Barça, por ata na ndëshkuan, na e “prenë” kokën. Ishte shumë e vështirë, sepse e konsideruam punë të kryer finalen, pas fitores 3-0 në shtëpi.

Ishte momenti më i vështirë i vitit, që do të na përndjekë për një kohë e gjatë. Ne arritëm të demoralizuar në Kupën e Mbretit, ndaj nuk ia dolëm ta fitonim atë. Sigurisht, disfata e rëndë në “Anfield” ndikoi shumë në skuadër dhe përcaktoi fatin e Kupës së Mbretit. Ne u fokusuam shumë te Liga e Kampionëve, diçka që gjeneroi shumë iluzione. Kur nuk e fiton atë dhe pritshmëritë janë maksimale, gjithçka kthehet në zhgënjim”.