Sport Van Basten: Sacchi e tepronte me teorinë. Me Capello-n dhe Cruijff isha...

Van Basten: Sacchi e tepronte me teorinë. Me Capello-n dhe Cruijff isha më i lidhur

Marco Van Basten ishte një kampion i jashtëzakonshëm, por i kufizuar nga shumë dëmtime. Në vitin 1993, në moshën 28 ​​vjeç, ai iu nënshtrua operacionit të katërt në kyçin e këmbës. Dy vjet më vonë, në pamundësi për të rimarrë plotësisht formën e tij fizike, vendosi t’i varë këpucët në gozhdë. Pasi fitoi tre “Topa të Artë”, karriera e tij u ndërpre nga problemet fizike. Disa episode në lidhje me dhimbje e lëndimeve të tij u treguan në autobiografinë e kampionit hollandez:

“Ishte e vështirë, sepse shkova nga niveli më i lartë në futboll deri në pikën më të ulët për sa i përket lumturisë personale. Ishte mesnata e vitit 1994 dhe për të shpërqendruar veten nga dhimbja numëroja sekondat që duheshin për t’u zvarritur nga shtrati në banjë. Unë kurrë nuk e bëra dot më shpejt se 120 sekonda këtë itinerar, nga krevati në banjë. Kisha shumë dhimbje. Nuk mund të bëja asgjë pa dhimbje dhe mjekët më thanë se nuk mund të më ndihmonin. Isha i frikësuar”.

Marrëdhënia me Cruijff

Van Basten kishte trajner tek Ajax legjendën holandeze, Johan Cruijff, para se të bashkohej me Milanin. Në atë kohë filluan problemet fizike të tri herë fituesit të “Topit të Artë”: “Unë kurrë nuk u shërova nga dëmtimi i parë. Mjeku i tha Cruijff se kisha një problem, por nuk do të përkeqësohej dhe unë mund të luaja. Tashmë e kisha ndjesinë se diçka nuk ishte në rregull, por bëra një marrëveshje me Johan. Ai më lejoi të kaloja disa seanca stërvitore dhe disa ndeshje me premtimin për të qenë në Europë”.

“Unë jam shumë i lidhur me Capello”

Duke lëvizur te Milani, përkundër përkeqësimit të situatës fizike, ai arriti të bënte histori: “Unë isha i lidhur me Cruijff, sepse ishte një lojtar i shkëlqyeshëm. E njëjta gjë ndodhi me Capello. Sacchi, nga ana tjetër, ishte më teorik. Duhej të shikonim shumë video dhe gjithmonë mendoja se ishte tejkalim i masës. Ndonjëherë, madje ia kujtoja se më kishte thënë të njëjtën gjë dymbëdhjetë herë. Capello dhe Sacchi ishin me fat, sepse kishim një ekip të mrekullueshëm. Baresi, Maldini, Costacurta dhe Tassotti ishin mbrojtës të shkëlqyeshëm, që dinin të luanin mirë me topin”.