Vangjel Kokoli në kërkim të përhershëm të trashëgimisë së Vangjel Zhapës
Midis emrave të njohur të aktorëve, humoristëve, këngëtarëve, regjisorëve, instrumentistëve dhe udhëheqësve artistikë, që kanë dhënë kontributin e tyre në Pallatin e Kulturës të qytetit Memaliaj, është edhe ai i skenografit dhe makiazhistit, Vangjel Kokoli. Ai u lind më 16 Korrik të vitit 1955, në qytetin e gurtë të Gjirokastrës me prindër, Thoma Dhimitër Kokoli me origjinë nga Labova e Zhapës dhe i Aleksandrës me origjinë nga Sotira e Gjirokastrës. Familja Kokoli u largua nga qyteti i Gjirokastrës në vitin 1957, pasi kryetari i kësaj familje z. Thoma Kokoli ishte shumë i apasionuar mbas peshkimit dhe ngaqë qyteti i Memaliajt rrethohet nga lumi Vjosë, vendosen të banojnë familjarisht. Në këtë kohë, Vangjeli ishte vetëm dy vjeç. Arsimin tetëvjeçar e kryen në qytetin e Memaliajt, atë të mesëm tek liceu artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ndërsa studimet e larta i kreu tek Instituti i Lartë i Arteve “Aleksandër Moisiu”, po në kryeqytet. Mbas mbarimit të studimeve në vitin 1974, kthehet dhe punon si piktor, skenograf, makiazhist dhe në qendrën e zërit në Pallatin e Kulturës së Memaliajt. Disa nga pjesët teatrale që u shfaqën në këtë skenë me regjizor Agim Lika dhe skenograf e makiazhist Vangjel Kokoli janë: “Natë pagjumë” (1980), “Dasëm pa nuse” (1981), …etj, pa harruar me dhjetra shfaqje si ato të festivaleve të përvitshme që zhvilloheshin midis trupave të estradave të lagjeve të qytetit Memaliaj, koncerteve variete, anketave muzikore, anketave sportive, festivaleve të këngës për fëmijë, shfaqjet e grupeve polifonike të ndërmarrjeve të minierës së qymyrgurit, …etj. Më vonë kaloi me punë si skenograf në Pallatin e Kulturës së Tepelenës. Ka punuar edhe në dekorin e qytetit të Gjirokastrës me drejtor Vasil Stavrin. Mbas vitit 1990-ë, ka kryer studimet e larta edhe për arkitekturë. Me ndryshimin e sistemeve në Shqipëri, bashkë me familjen e tij largohet për të jetuar e punuar në shtetin fqinj grek, ku krijon mundësitë e hapjes së disa studiove për zbatimin e projekteve në arkitekturë. Djali i tij Ari, ka kryer studimet e larta për arkitekturë (i cili është edhe shumë i talentuar në këtë fushë), vitet e fundit mbas diplomimit të tij, ka punuar edhe tek studioja që ka hapur familja Kokoli. Po ashtu edhe djali i tij vogël, vazhdon studimet e larta po për arkitekturë.
I ndjeshëm është kontributi i Vangjel Kokolit, si skenograf profesionist dhe i talentuar. Edhe vetë regjisori i mirënjohur, sidomos në rrethet e Jugut të Shqipërisë, Agim Lika, e ka vlerësuar si bashkëpunëtorin e tij duke vënë në dukje edhe cilësitë e tij të spikatura, përveçse si projektues i dekoreve artistike, ishte edhe si fonist dhe makiazher apo grimier. Ndërsa kolegu i ti,j Leonidha (Rakip) Zhupa shprehet: “Në fillim Vangjeli Kokoli ka punuar në Pallatin e Kulturës si skenograf, makiazher dhe fonist. Kur fillova edhe unë punën në mars të vitit 1979, u angazhova në bërjen e skenografisë dhe bashkë me Vangjelin, punonim me orë të zgjatura deri në mesnatë, për të përgatitur në kohë dekorin e skenës. Kur u largua Vangjeli nga pallati, me ngeli mua bara e skenografisë, kurse makiazhin e bënte regjisori Agim Lika.”
Edhe bashkëqytetarët e tij më të vegjël në moshë, e mbajnë mend kur ai punonte në Pallatin e Kulturës. Një ndër ata është ish futbollisti Flamur Shehu, i cili shprehet: “Vangjelin e mbaj mend për humanizmin e tij që tregonte me ne fëmijët e pallatit që banonin afër Pallatit të Kulturës. Ishte i përkushtuar në punën e tij si skenograf, grimier dhe fisnik. Përveçse ishte një bashkëqytetar shumë i mirë dhe i qetë, ishte edhe një model për nga ana estetike. Ishte një njeri shumë modern dhe ruaj respekt për këtë djalë kristian memaljot.”
Në të njëjtën lagje dhe shumë afër me Pallatin e Kulturës, kam banuar edhe unë. Madje e mbaj mend, jo vetëm qysh në ditët e para të fillimit të punës së tij si skenograf, por edhe më pas kur u bëra pjesë e trupës së Estradës së qytetit duke interpretuar si prestidigjiator. Vangjeli ishte një skenograf inteligjent, piktor i mirë dhe grimier i talentuar, i cili i shndërronte skenat si origjinale në funksion të shfaqjeve të ndryshme. Ndërsa me anë të grimit të tij, i shndëronte aktorët memaliotë në karakterë të vërtetë, të cilët mbartnin shprehje të gjalla dhe përcillnin emocione tek artdashësit memaliotë e më gjerë. Përveç profesionit të tij, në sistemin e kaluar, ai e kalonte kohën e lirë duke eksploruar edhe vende të ndryshme nëpër Shqipëri, falë një motoçiklete të markës Java që ja kishin dërguar të afërmit e tij nga Greqia. Këtë mjet transportues e shfrytëzonte, jo vetëm për të shkuar dhe peshkuar në distanca të ndryshme përgjatë rrjedhës së lumit Vjosë, por edhe në vende të ndryshme.
Përveç kontributit me anë të profesionit të tij, ai ka dhënë edhe me anë të përpjekjeve të tij, për të hapur negociatat dhe për të siguruar riçeljen e ndihmave që vinin për Labovën, nga testamenti i Zhapës, (testament ky që njihej edhe prej shtetit të ri shqiptar) ndihma këto që vazhdonin të vinin rregullisht deri në vitin 1940, të shekullit të kaluar. Por si i lindi kjo ndjenjë për të kërkuar këtë të drejtë të lënë në heshtje prej më shumë se gjysmë shekulli? Ato filluan aty nga mesi i viteve ’60 të shekullit të kaluar kur ishte vetëm 13 vjeç dhe shkonte me babanë e tij, për të gjuajtur peshk në rrjedhën e lumit Vjosë, që përqafonte qytetin Memaliaj, por dhe më larg këtij vendbanimi. Përgjatë kohës dhe heshtjes së bollshme që krijohej vetvetiu përgjatë gjuetisë së peshkut, babai i tij i thyente shpesh, jo vetëm falë pyetjeve të Vangjelit që kërkonin edhe përgjigje, por për t’a bërë atë më krenar për vendin e tij, i tregonte edhe mbi jetën dhe kontributin e vëllezërve Zhapa, të cilët ishin nga bamirësit më të mëdhenj dhe me të dëgjuar të shekullit të 19-të, për gjithë Ballkanin e më gjerë.
Ai i fliste se si laboviti, Vangjel Zhapa, i cili u lind në një familje të vafër nga Labova e Madhe dhe në moshën 13 vjeçare, u largua nga familja e tij për t’u rreshtuar në radhët e gardës së Ali Pashë Tepelenës në Janinë. Ndërsa në moshën 20 vjeçare u bashkua me mijëra luftëtarë arvanitas dhe suliotë të Marko Boçarit, të cilët së bashku morën pjesë nëpër betejat e Revolucionit Grek kundra ushtrive osmane. Ai i tregonte për pesë plagët që kishte marrë përgjatë luftimeve, për bamirësitë e tij në fushat e arsimit, sportit, kulturës, shëndetësisë, infrastrukturës dhe ndihmave ekonomike që bëri në shtetet Shqipëri, Greqi, Turqi dhe Rumani, rrëfime këto që i jepnin vogëlushit Vangjel Kokoli, një parafytyrim më të plotë për labovitin Vangjel Zapa, jo vetëm si bamirës i madh i Gadishullit të Ballkanit, por edhe si një luftëtar dhe hero i shquar. Por rrëfimet prej babait të tij, Thomait, që e frymëzuan aq shumë skenografin Vangjel Kokoli për të mësuar më shumë për figurën e luftëtarit dhe humanistit Vangjel Zhapa, mësojmë të vijojnë edhe nga një intervistë që i ka dhënë z. Apostol Duka për gazetën “Odria” Nr. 55 (Shtator 2010), organ shtypi ky që i shërben labovitëve të Zhapës të kudondodhur në botë. Ja si shprehet në një fragment të shkëputur prej saj: “ …në vitin 1831 u shpërngul në Braila të Rumanisë. Atje iu dha rasti të vinte në jetë njohuritë e tij për mjekësinë popullore, sepse vajza e mbretit kishte një plagë të qelbëzuar në këmbë, e cila rrezikohej t’i bëhej gangrenë dhe t’i pritej. Vangjel Zhapa mori përsipër ta shëronte vajzën, më mirë është të themi se mori guximin të përballej me dhjetëra profesorë e mjekë të shquar nga e gjithë Evropa, që kishin arritur të gjithë në përfundimin fatal se këmba duhej prerë me doemos. Puna e parë që bëri ai, ishte të ndalonte përhapjen e mëtejshme të qelbit në plagë. Por si dhe me se? Atëherë, kuptohet, nuk kishte mjete dhe medikamente si këto të sotmet, ndërsa për ndërhyrje mekanike me bisturi ose mjete të tjera, as që bëhej fjalë, sepse këmba mund të dëmtohej në mënyrë të pariparueshme.
Pa e bërë të gjatë, Vangjel Zhapa u ul në gjunjë dhe i vuri buzët mbi plagën e vajzës. Në ato çaste, goja e tij u shndërrua në një pompë të fuqishme dhe perfekte dhe shumë shpejt plaga u pastrua tërësisht dhe u bë gati për mjekime të tjera, që vetëm ai djalë nga Labova e largët dinte se si t’i përgatiste e t’i bënte. Është e tepërt të themi që vajza u shërua dhe shpërblimi që mori me këtë rast, është në themel të të gjithë asaj pasurie të stërmadhe të Vangjel e Kostandin Zhapës, që s’i dihet fillimi dhe fundi. Tani, ti mund të pyesësh: “Mirë, po ç’lidhje ka e gjithë kjo me Vangjel Kokolin, me vendimin tënd të papritur për t’i braktisur të gjitha punët dhe për t’u marrë me diçka që deri dje, as që e mendoje?” Sigurisht që e ka një lidhje. Tregimet e tim eti për Zhapën e madh “u arkivuan” diku në ndonjë cep të kujtesës dhe të shpirtit tim, “fjetën” aty me vite e vite të tëra, por nuk u fshinë kurrë. Sidomos ai gjesti kur ulej në gjunjë dhe thithte qelbin e plagës së princeshës, që s’dihej ç’infeksione të rrezikshme mund të kishte, ishte madhështor, unikal dhe i pakrahasueshëm. Duke e sjellë dhe risjellë ndër mend atë, Vangjel Zhapa shndërrohej në sytë e mi në një hero përrallash, në një kalorës dhe humanist të madh. Sot, kur kam hyrë e dalë në lloj-lloj arkivash, kur kam shfletuar e lexuar me mijëra e mijëra faqe dhe kam dëgjuar aq shumë tregime e rrëfenja dhe besoj se jam një nga shqiptarët më të informuar për të … .”
Për filantropin Vangjel Zhapa, përveç rrëfimeve të bashkëfshatarëve të tij (dhe atyre të zonës) që janë trashëguar brez pas brezi deri në ditët e sotme, gjenden informacione dhe dokumente të shumta, jo vetëm në atë të mediave të shkruar dhe vizive, por edhe nëpër arkivat e shteteve ku ai ka luftuar, banuar, shtrirë dhe ushtruar aktivitetin e tij privat dhe atë bamirës, mësojmë se nga kjo mrekulli që i shpëtoi prerjen e këmbës, vajzës së Mbretit të Rumanisë, mbreti Maruzi i fali në shenjë mirënjohjeje, një mulli bloje që vihej në punë me anë të rrjedhjes së ujit dhe një sipërfaqe të konsiderueshme tokash përreth këtij mulliri. Por në thellësi të kësaj sipërfaqeje toke, fshihej një mrekulli tjetër që koha e kishte ruajtur si shpëblim që do t’i ndryshonte jetën edhe labovitit Vangjel Zhapa. Falë kërkimeve të një shoqërie naftëkërkuese anglo-persiane, që bënte në atë kohë nëpër shtetin romun, u gjendën rezerva të konsiderueshme nafte nëpër thellësitë e sipërfaqeve të tokave përreth mullirit me pronësi të shqiptarit Vangjel Zhapa. Si fillim, iu kërkua nga kompania që t’ua shiste tokat, por ai e kundërshtoi kërkesën e tyre. Fitimet nga kjo pasuri natyrore që flinte ndër shekujsh nën tokat e tij, e bënë atë shumë shpejt një ndër më të pasurit e Ballkanit dhe më gjerë, pasuri kjo që e çoi atë të njihej edhe si një ndër filantropistët më të medhenj dhe më të dëgjuar të gadishullit të Ballkanit dhe më tej. Të dyja këto mrekulli i kanë zanafillat, qysh në vegjëlinë e labovitit Vangjel Zhapa ku ndihmonte familjen e tij duke ruajtur bagëtinë dhe po në ato vende që sodiste bashkë me gjenë e gjallë që ai kujdesej, ndeshi jo vetëm me shumëllojshmërinë e luleve, por edhe me aromat e tyre unike të cilat e shtynin atë të tregonte akoma më shume interes për të zbuluar të fshehtat e tyre kurative nga ana e mjekësisë popullore. Kuriozitet ky, që e çoi atë ta zhvillonte më tej edhe kur shërbente në oborrin e Ali Pashë Tepelenës në Janinë, duke mjekuar edhe luftëtarët që plagoseshin nëpër betejat. Falë famës së mjekimeve të tij popullore, e bëri atë që të thirrej për ndihmë edhe nga mbreti Maruzi, për të shëruar vajzën e tij.
Edhe pse është e pamjaftueshme në këtë përmbledhje të shkurtër që solla mbi jetën dhe kontributin e shqiptarit Vangjel Zhapa, e japin të plotë portretin e kësaj figure të madhe, vlera këto që frymezuan pa masë edhe memaliotin me origjinë nga Labova e Madhe, skenografin Vangjel Kokoli, i cili kërkonte medoemos që të çonte deri në fund amanetin e hapur të lënë në formë testamenti nga humanisti labovit Zhapa (i cili u ndal së funksionuari qysh në fillimin e vitit 1940 të shekullit të kaluar).
Për këtë ndalesë të lënë në heshtje dhe në harresë gjithashtu edhe nga shteti shqiptar, skenografi Vangjel Kokoli, i nxitur dhe i mbështetur moralisht, jo vetëm nga pleqësia e Labovës por edhe nga interesimi dhe shpresat e qindra labovitëve të tjerë që ishin mbledhur në Labovën e Madhe për të festuar 100 vjetorin e hapjes së shkollës së parë shqipe, u mbush me më shumë forcë dhe energji shpirtërore, për t’u marrë më seriozisht dhe për t’i shkuar deri në fund kësaj çështjeje që pengohet padrejtësisht për dekada të tëra. Gjetjen e fillit ku do të niste përpjekjet e tij, e nisi menjëhrë, pasi u kthye në Greqi, duke kryer një sërë takimesh me kryetarin dhe sekretarin e LojravebOlimpike Greke. Po ashtu pati edhe një takim me zëvendësministrin grek për trashëgimin kulturore dhe atë të trashëgimisë së Vangjel Zhapës. Ai u kërkoi që shtëpia e familjes Zhapa të kthehej muze, të ktheheshin dhe të preheshin në Labovë eshtrat e Vangjel dhe Konstandin Zhapës dhe shkolla që ata hapën në vitin 1860, të ringrihej dhe të kthehej në muze për arsimin e Labovës. Ai u prit me ngrohtësi, dhe nga ky i fundit dëgjoi se do ta mbështeste për të realizuar këtë nismë që kishte ndërmarrë. Gjithashtu ai është interesuar për mos lëvrimin e fondit Zhapa për fshatrat Labovë, Tërbuq, Lekël, etj, dhe për këtë ka pyetur në mënyrë të përsëritur emra të ndryshëm (që nuk i përmend) të palës greke. Përgjigjen e kthyer prej palës greke, e mësojmë po tek intervista e tij e dhënë për Gazteën “Odria”, Nr. 55 (Shtator 2010): “Për shkak të sistemit të kuq, deri në vitin 1990, ne e dinim mirë se edhe po të dërgoheshin ato para, nuk do të mbërrinin kurrë në Labovë, Lekël e Tërbuq…”. Duke e mirëkuptur këtë, unë kam pyetur më tej “me delikatesë”: “Po pas viteve ’90, kur nuk ka patur asnjë pengesë politike dhe ligjore, përse nuk janë bërë hapa kontrete për këtë?” Dhe përgjigjia ka qënë përsëri lakonike: “Sepse nuk na është paraqitur asnjë peson i autorizuar nga kryepleqësia e fshatit dhe i njohur nga pushteti vendor atje…” .
Si kundërpërgjigje të kësaj të fundit, V. Kokoli braktisi karierën e tij 20 vjeçare që kishte ndërtuar në shtetin grek (duke ja besuar atë djalit të tij arkitekt) dhe themeloi me iniciativën e tij, lëvizjen “Zhapa”, si qëllim për t’i shërbyer ringritjes së Labovës. Për t’a vënë këtë lëvizje në jetë e filloi duke hapur zyrat në qytetet Gjirokastër, Tepelenë dhe Tiranë të cilat mbuloheshin financiarisht po nga vetë ai. Me anë të kësaj lëvizjeje me në krye të saj skenaristin Vangjel Kokoli, zyrtarizohej dhe i jepej e drejta që ta kërkonte konform rrugëve ligjore. Që prej këtij momenti, nuk jemi në dijeni për ecurinë e misionit të tij, por le të shpresojmë që, atë që nuk e bëri dot regjimi komunist dhe ai i sotmi, shpresojmë ta bëjë Vangjel Kokoli. Shprehem kështu pasi kam dëgjuar edhe për pëpjekje të tjera që janë bërë edhe nga regjimi komunist. Flitet për përpjekjet që duhej të zbatonin një urdhër të lëshuar në vitin 1965 prej Enver Hoxhës, që i dha kryeministrit të asaj kohe, Mehmet Shehu, për të bërë të pamundurën ma anë të mekanizmave shtetërore (duke u mbështetur në bazë të ligjeve ndërkombëtare) për marrjen e 800 milionë dollarëve të cilat administrohen ende nga Patriarkana e Stambollit. Madje shteti shqiptar me anë të ambasadorit të tij të akredituar në Turqi, pajtoi edhe nje avokat turk me emrin Aqif Akçu për të ndjekur çeshtjen, pasi shteti turk i la vetëm një afat kohor prej 10 vjetësh (1955-1965) shtetit shqiptar. Por asgjë nuk u arrit në këtë drejtim edhe pse avokati turk u pajtua me 20% prej shumës që pretendohej të tërhiqej. Në ato vite dhe më pas, qarkullonin të tjera dyshime për tërheqjen e avokatit, ku mendohej se mund të kishte patur presione të fshehta edhe prej vetë shtetit turk. Pra, asgjë nuk u arrit në këtë marathonë 10 vjeçare. Ndoshta, një nga arsyet më kryesore të humbjes, të çojnë ashtu siç pëshpëritej në regjimin komunist, se trashëgimia e lënë prej Vangjel Zhapës, nuk kërkohej prej trashëgimtarëve me lidhje gjaku (të cilët nuk lejoheshin nga rregjimi komunist), por me përfaqësues që flisnin në emër të rregjimit komunist. Kjo e fundit e bënte të pabesueshëm dhe të pamundur marrjen e kësaj trashëgimie, pasi vetë regjimi në fuqi i asaj kohe, nuk e lejonte pronën private me përmasa të tilla, të mëdha.
Mbi fatin e kësaj trashëgimie ndesha edhe fakte të tjera në shkrimin “Vangjel Zhapa dhe hipokrizia komuniste” të botuar në librin “Rrugët e jetës më shpien në Labovë” me autor mësuesin veteran të historisë, labovitin Thanas Hoha i cili shkruan: “Deri në vitin 1940, pasuria dhe pronat e labovitit të pasur në Turqi, u administruan nga Patriakana e Stambollit. Po atë vit shteti truk i mori këto prona në administrimin e vet, duke i bërë të ditur Patriarkanës se këto prona nuk ishin të sajat, por të Vangjel Zhapës. Sipas ligjit turk, në rast se ai nuk kishte trashëgimtarë të ligjshëm, e gjithë pasuria e tij duhej t’i kalonte automatikisht vendlindjes së tij, Labovës, ku ai kishte lindur. Në vitin 1960, shteti turk vendosi t’ia kthejë në përdorim pronat e Vangjelit edhe një herë Patriarkanës së Stambollit, me qëllim që të gjendeshin trashëgimtarët e ligjshëm dhe të vërtetë të tij”.
Padyshim, që edhe qeverive greke, nuk u interesonte që kjo trashëgimi kaq e madhe të kalonte nën administrimin e shtetit shqiptar. Ndoshta edhe mos heqja ende e ligjit të luftës, ngelet një ndër arsyet dhe pretendimet e tyre diplomatike.
Vangjeli bashkë me bashkëshorten e tij, memalioten Violeta Kadena, e cila është me origjinë nga Rexhini i Kurveleshit dhe me nënën minoritare nga fshati i Grapshit të Gjirokastrës dhe dy djemtë e tyre Arin dhe Kriston, jetojnë në shtetin Grek.
Me sa përmendëm edhe më lart, duhet vlerësuar shumë përpjekja e tij për pretendimin dhe realizimin e marrjes së trashëgimisë së madhe të Vangjel Zhapës. Përpjekjet e tij në këtë drejtim, vazhdojnë edhe sot me këmbëngulje nga ai dhe shoqata “Lëvizja Zhapa” që ai kryeson për kthimin në atdhe të kësaj pasurie.
Por duhet vënë në dukje se kjo është më shumë një përpjekje për të njohur dhe sensibilizuar opinionin e gjerë dhe për të ndërgjegjësuar organet përkatëse, që të marrin hapa konkrete në këtë drejtim.
Luftën e vërtetë duhet ta bëj shteti shqiptar me mekanizmat e tij diplomatike e gjyqësore për ta shtruar çështjen atje ku duhet e me gjyqtarë të specializuar të së drejtës ndërkombëtare e civile të cilët nuk mungojnë në Shqipëri.
Ky shkrim që lexuat, është botuar në gazetën “Tirana Observer”, më 10.05.2015, dhe po e sjellim për ribotim, duke i shtuar edhe të dhëna të reja, që ka arritur kohët e fundit “Lëvizja Zhapa”. Këto i mësojmë nga shkrimi: “Dy gjyqe të fituara, për testamentin që ka lënë filantropi shqiptar, Vangjel Zhapa.”, të botuar tek “American Eye”, në datën 24.05.2020, ku autori i këtij shkrimit është themeluesi dhe kryetari i kësaj lëvizje, z. Vangjel Thoma Kokoli, shprehet: “Unë, çdo përpjekje që kam bërë në jetë që nga viti 2010, besoj se me palën greke, kam qenë i vetmi Labovit që kam kontribuar për fitimin e gjyqit të parë, që u krye në vitin 2017, dhe në të dytin që për çudi, i cili u zhvillua më 4 Shkurt 2020, në Gjykatën e Lartë të Athinës, e cila përfundoi pozitivisht, si në gjyqin e parë. Në të dy gjyqet, u fitua moslejimi i shitjes dhe i dhënies me qira të pallatit ZAPPIO, pasi që të dyja këto veprime, janë në kundërshtim me testamentin e vitit 1860, të shkruar dhe firmosur me dorën e tij, nga Vangjel Zhapa.”
Pra, edhe pse ka kaluar një dekadë, këto arritje, tregojnë qartë, këmbënguljen dhe përkushtimin e “Lëvizjes Zhapa” dhe veçanërisht, të kryetarit të saj, z. Vangjel Thoma Kokoli, për të çuar në vend amanetin e bamirësit, Vangjel Zhapa dhe të kushëririt të tij, Konstandin Zhapa.
Edmond Ismailati
29 Maj, 2020. Nju Jork