Kryesore Vdekja e 18-vjeçares, Italia ndalon përdorimin e vaksinës AstraZeneca nën 60 vjeç

Vdekja e 18-vjeçares, Italia ndalon përdorimin e vaksinës AstraZeneca nën 60 vjeç

Qeveria italiane ka bërë të ditur këtë të premte se do të ndalojë së përdorur vaksinën AstraZeneca për personat nën 60 vjeç.

Vendimi është marrë pasi një adoleshente ndërroi jetë nga mpiksja e gjakut rreth dy javë pas injektimit të dozës së vaksinës kundër COVID-19.

“AstraZeneca do të përdoret vetëm për njerëzit mbi 60 vjeç”, tha komisioneri special i vendit për COVID, Francesco Figliuolo gjatë një konference për mediat.

Camilla Canepa, 18 vjeçe, vdiq këtë të mërkurë pasi kishte marrë vaksinën më 25 maj, duke nxitur më tej debatin në Itali mbi përdorimin e vaksinës anglo-suedeze.

Camilla Canepa

Ky nuk është rasti i parë në Itali, më 4 prill një mësuese 32-vjeçare, e cila ishte vaksinuar më 22 mars, humbi jetën si pasojë e hemorragjisë celebrale.

Edhe më parë janë ngritur shqetësime se përdorimi i kësaj vaksine shkakton mpiksje të gjakut, por autoritetet shëndetësore evropiane i hapën rrugën injektimit për të gjitha moshat.