Kryesore Veliaj në burg, Rama: Kush do ta drejtojë Tiranën? Për reformën në...

Veliaj në burg, Rama: Kush do ta drejtojë Tiranën? Për reformën në drejtësi u vu në tavolinë ekzistenca qeverisëse

Pasi gjykata e Posaçme la në burg kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj, kryeministri Edi Rama ka vijuar sërish sot mbrojtjen ndaj tij. Në rubrikën “sy me sy” me ndjekësit të paralajmëruar mbrëmjen e djeshëm, kreu i qeverisë ngriti pikëpyetje mbi standardet e drejtësisë. Sipas tij nuk mund të ndërpritet kontrata e kryetarit të bashkisë me zgjedhësit pa prova dhe fakte.

“Po çfarë janë të zgjedhurit që marrin votë nga populli, për të drejtuar vendin apo qytetin? Mish për top janë këta për një pushtet që u ndjeka aq i plotfuqishëm sa të ndërpresë kontratën e kryetarit të bashkisë së kryeqytetit me zgjedhësit, pa patur prova. Kush e mban përgjegjësinë për atë kontratë? Kush e drejton Bashkinë e Tiranës? Kryetari i bashkisë nuk është shpallur fajtor nuk është as i pandehur, është thjesht i dyshuar. Kush do t’ i bëjë punët për të cilat ka bashki dhe qytetarët kanë zgjedhur kryetarët e bashkive? Kush? Stamo Dumua? Jo që të bëhet ky një mbiprokurori këtu. Na është bërë gjykata stërspeciale që rrit peshën e dënimit paraprak, pa gjykuar fare”.

Kreu i qeverisë sqaroi se deklarata e tij nuk janë sulm ndaj SPAK-ut apo gjykatës, por një kërkesë e tij për standardet demokratike të drejtësisë, që si lider i shumicës votoi edhe pse cenohej ekzistenca qeverisëse.

“Si mund të quhet ky sulm ndaj SPAK-ut apo trysni ndja gjykatës që të ngresh një problem kaq parimor që ka të bëjë me kërkesën legjitime për një kryeministër, për mua si udhëheqësi i forcës që i ka dhënë jetë SPAK-ut përballë shumë armiqësive të mundshme se ju nuk i dini të gjitha, duke vënë në tavolinë ekzistencën qeverisëse: O votoni reformën, o rrëzoni qeverinë! Se nuk më intereson qeveria dhe të mos bëj unë kërkesë të tillë për standarde demokratike”.

Kreu i qeverisë tha se beteja e tij është për uljen në tryezën e BE-së të vendit tonë si të barabartë. Ndërsa të rinjtë i ftoi të përballen në betejë.

“Çfarë do të thotë standardi? Më vjen shpirti në majë të hundës, të rinjve në asnjë moment të historisë nuk i ka shtruar njeri qilimin, ata që kanë diçka për të bërë le ta provojnë me betejë dhe të fitojnë. Unë jam këtu për t’ju ulur në tryezën e BE. Unë jam këtu për ta parë me sytë e mi atë Albania në atë tryezë. Dhe për ta parë flamurin kuqezi atje. Për këtë jam këtu dhe kjo është gjithë beteja ime nga A te ZH, pastaj bëni çfarë të doni ju. Kush ju çon ju atje kush ju flet atje si të barabartë? Kush bufi i kënetës apo këta mangallët që vijnë për qofte këtu poshtë. Kujtoni se është kënaqësi restoranti apo plazhi kjo? Kjo është luftë e përditshme, është sakrificë është mohim i shumë gjërave që njerëzit e zakonshëm kanë. Ky është misioni. Unë jam këtu për historinë prandaj i mbaj të gjitha këto llumra e balta e gëlltitje e gurë nga të katër anët, lloj-lloj poshtërsish nga të gjitha anët”.