Drejtuesi politik i qarkut të Tiranës Erion Veliaj në një dalje entuziaste nga selia rozë u shpreh se fitorja e Partisë Socialiste është e sigurt. Pas shpalljes së rezultatit në Njësinë 10 në kryeqytet ku fitoi PS, Veliaj u bëri apel të gjithëve për të pranuar rezultatin.
“Fitorja jonë është e sigurt. Po përgatitemi për fitore në të 42 njësitë e Tiranës dhe duke pasur parasysh se ka qenë një natë e gjatë do t’i ftoja të gjithë që janë përfshirë në procesin e numërimit, unë ndaj mendimin se kishim zgjedhje të shkëlqyera dhe duhet të pranojmë rezultatin, përfshirë dhe numëruesit. Të gjithë numëruesit do të bëjnë maksimumin për të punuar me orare të zgjatura. Sa më shpejt të mbyllet dhe sa korrekt të jetë aq më shpejt i përveshim mëngët për punë të mira dhe për qytetin tonë”.
Veliaj shtriu dorën e bashkëpunimit edhe për ata që nuk e votuan PS , në Njësinë 10 dhe tha se do ti shërbejë me përulësi.
“Për të gjithë ata që votuan masivisht dhe na dhanë fitore në njësinë 10 unë i falënderoj nga zemra që zgjodhën të na jepnin një mandat të fortë. Ata që nuk na votuan do t’u shërbejmë me përulësi dhe do jemi aty. T’u shtrijmë dorën edhe atyre që nuk na votuan, ka më shumë gjëra që na bashkojnë se na ndajnë, fitoi bindja jonë dhe jo e tyre. Pas kësaj të fitojmë një fushatë vëllazërie e bashkimi. Ata që mendojnë ndryshe nga ne por kanë të njëjtën ambicie”.