Bashkia e Tiranës ka nisur punimet për shtrimin e Rr. “Alla” dhe hapjen e segmentit të ri që e lidh atë me Rr. “Shyqyri Brari”, të cilat ndodhen në një nga blloqet e banimit ku zhvillimi i ndërtimeve dhe i bizneseve nuk ka ecur paralelisht me urbanizimin dhe sistemimin e hapësirave publike.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet dhe shprehu vendosmërinë e institucionit që drejton për të urbanizuar edhe ato zona, si Farka, ku për vite me radhë ish komunat kanë dhënë leje ndërtimi pa menduar për infrastrukturën dhe urbanizimin. “Kjo është një lagje e mbipopulluar, kryesisht nga lejet e dhëna nga ish-komuna Farkë pa menduar fare për urbanistikën, se ku do jenë kanalizimet, asfalti dhe trotuari, pa menduar ku do jenë shkollat, kopshte e çerdhet. Këto janë sfida e Bashkisë sonë, që në shumë prej komunave që ka trashëguar, si këtu në Farkë, si në Kashar, ku vitet e fundit ndërtimet kanë bërë kërdinë, tani na duhet të sjellim edhe urbanizimin”, tha Veliaj.
Ai u kërkoi qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm në blerjen e banesave të tyre, të interesohen për dokumentacionin e plotë dhe për planin e zhvillimit të zonës në të cilën do të investojnë.
“Tirana rritet me rreth 70 vetë çdo ditë. Ajo që u kërkojmë me shumë dashamirësi është që përpara se t’i blejnë këto banesa, të kërkojnë letrat e Hipotekës, të pyesin si është furnizimi me ujë, nëse ka një kopsht, shkollë, apo çerdhe pranë, a po e blejnë shtëpinë në një zonë ku ish-komunat kanë dhënë leje ndërtimi pa hapësira të gjelbra. Nëse kemi qytetarë të përgjegjshëm, që i bëjnë këto pyetje, e kemi shumë më të lehtë që të përballemi me situata emergjente, kur vjen puna tek uji, zjarri, aksesi i zjarrfikëses, aksesi i institucioneve arsimore”, deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës deklaroi se qytetarët duhen të tregohen të kujdesshëm kur planifikojnë të investojnë kursimet e jetës së tyre në pasuri të patundshme. “Dua po ashtu t’u bëj një thirrje të gjithë qytetarëve, për të kuptuar se është normale që të kërkojnë ndihmën e shtetit në situatë krize, në situatë zjarri, në situatë të thatësirës, por a nuk do ishte më mirë ta kërkonim ndihmën e shtetit që në fillim, kur marrim vendime për të banuar diku? Ajo që do të ishte e udhës është që përpara se qytetarët të blejnë një banesë, të pyesin a ka ujë me rrjet apo ka ujë me pus, ka leje ndërtimi, leje shfrytëzimi dhe letrat në dorë të Hipotekës apo thjesht po i vëmë paratë e kursimet tona në një gropë të zezë, e cila momentalisht mund të na japë një strehim, ama në afatgjatë sjell të gjithë këto problematika”, tha ai.
Veliaj siguroi se Bashkia e Tiranës do të bëjë maksimumin për sistemimin e zonave të tilla ku mbizotërojnë ndërtimet e reja me leje të dhëna nga ish-komunat.
Duke siguruar banorët e bllokut të banimit në rrugën “Alla” dhe “Shyqyri Brari” se pasi të kthehen nga pushimet do të gjejnë një infrastrukturë të re, Veliaj deklaroi se ky është hapi i parë i projektit të Bashkisë për Kopshtin Zoologjik dhe Botanik.