Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, konfirmoi vetëdorëzimin e Klement Balilit, pa dhënë detaje operacionale, teksa dha edhe një mesazh të vendosur për vijimin e luftës ndaj krimit të organizuar.
“Për këdo që njeh sadopak punën operative gjurmuese dhe natyrën e punës për ndalimin e këtyre personave, të këtij karakteri, besoj do jetë e qartë që kurrë nuk do ketë një udhëtim vullnetar të një personi të kriminalizuar drejt policisë. Procesi është rezultat i një operacioni të gjerë dhe të thellë, të ndërlikuar, në bashkëpunim me partnerët e Shqipërisë, që kanë mundësuar që personi në fjalë të vetëdorëzohet në Shqipëri”, tha ministri Lleshaj.
Policia e Shtetit, sipas tij është në gatishmëri për t’u përballur me këdo, e gatshme dhe e aftë për të kaluar në fazën vendimtare për luftën kundër krimit të organizuar, me aftësi të përmirësuara goditëse.
“Në luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar, po e ngushtojmë gjithnjë e më shumë mundësinë që kriminelët t’i shpëtojnë policisë. Të gjitha ata që veprojnë në kundërshtim me ligjin e dinë mirë se mundësia për të shkuar para hekurave të qelisë është shumë e madhe”, tha ministri Lleshaj.
Në fund, Sandër Lleshaj dha edhe një paralajmërim: “Rruga e vetme për ta është bashkëpunimi me drejtësinë, rrugë tjetër për ta nuk ka. Të gjitha institucionet janë sot të inkurajuara për të luftuar krimin dhe korrupsionin, për të mundësuar progresin e shpejtë drejt integrimit të vendit në BE”.