Autori i dyshuar i vrasjes së 50-vjeçarit shqiptar në Selanik të Greqisë është vetëdorëzuar në policinë greke.
45-vjeçari, gjithashtu shqiptar dhe babai i 3 fëmijëve, u vetëdorëzua në polici i shoqëruar nga avokati i tij.
I dyshuari ka pasur njohje dhe miqësi me viktimën e mes tyre nisi një sherr. Shkak dyshohet të kenë qenë mosmarrëveshje financiare mes tyre.
Viktima dhe autori kanë qenë më herët së bashku në një lokal pranë zonës ku ndodhi krimi.
Pas konfrontimit në lokal, të dy u larguan me makinat e tyre. Më pas u gjendën në të njëjtën pikë karburanti në rrugën Solonos të Selanikut.
50-vjeçari shqiptar ndodhej në karburant për të furnizuar makinën. Ndërsa paralelisht në rrugën kryesore kishte ndaluar makina e autorit, tip Peugeot ngjyrë e zezë.
Kamerat e sigurisë kanë filmuar të gjithë krimin. Viktima shihet te dritarja e makinës së autorit dhe godet me zinxhir personin që ndodhet brenda mjetit.
Por në këtë moment ai qëllohet me pistoletë nga brenda makinës dhe bie përtokë. Ndërsa vrasësi largohet me shpejtësi me makinë nga vendngjarja.
50-vjeçari shqiptar mori 3 plumba në kraharor dhe ndërroi jetë rrugës për në spital.