Nga Erion Muça
Përshtjellimet e fundit politike me zgjedhjen e kryeprokurores së përkohshme rindezën reagimin e dhunshëm të opozitës e cila kundërshtoi ashpër këtë zgjedhje duke e cilësuar si të njëanshme dhe të panevojshme në këtë moment. Por parë dhe trajtuar në këtë plan gjykojmë se detyra kryesore e opozitës në fakt është të kundërshtojë nisma jokonsensuale që vijnë në parlament për qëllime dhe interesa të caktuara politike nga ana e maxhorancës.
Por ky gjykim i perceptuar si sipërfaqësor është ajo çfarë media pasqyron dhe qytetarët shohin të pasqyruar në mungesë të një analize që mund të thjeshtonte kuptimin. Cila është e vërteta?? E vërteta është se të dy krahët e politikës po tremben dhe frikësohen shumë nga serioziteti i gjenezës së funksionimit të reformës në drejtësi dhe vetingut. Të dyja krahët i frikësohen hapave pozitive të reformës e cila po i nxit dhe detyron të marrin masa mbrojtëse.
Maxhoranca po merr masa në influencimin dhe ndikimin në përzgjedhjen e funksionareve të saj për ti kërkuar mbrapsht favorin për promovimin në ato poste dhe opozita duke reaguar dhunshëm nga gjendja inferiore në të cilën duket se gjendet me hapat e saj mediatikisht avantazhuese në raport me maxhorancën. Reagimet e dhunshme nuk janë aspak fitimprurëse pasi degradojnë në impakt dhe krijojnë një imazh negativ jo vetëm përballë qytetarëve por edhe përballë mbështetësve të secilës forcë politike që reagon dhunshëm.
Reagimet e dhunshme tregojnë mungesën e alternativave dhe argumenteve për të kërkuar dhe u imponuar vendimeve parlamentare të shumicës me forma, mënyra dhe strategji edhe më kreative dhe inteligjente duke mos tejkaluar limite të cilat vetëm provojnë shterimin dhe vakumin e iniciativave politike për kthesën e vendimeve të caktuara që nxisin debate dhe bëhen shkas për konflikte banale. Ashtu sikundër nuk nevojitet që të ndërmerret një iniciativë nga maxhoranca pa konsultim dhe pa zërin e grupeve të interesit apo opozitës për pëlqim apo mospëlqim dhe negocim për kandidatë dhe vendime konsensuale.
Kjo betejë e fuqishme e një lufte që sapo ka nisur vetëm sa ka dhënë shkëndijat e para të një luftë për mbijetesë. Lufta po bëhet për influencim në sistemet e reja të drejtësisë në përzgjedhje të fuksionarëve të tyre nga njëra palë dhe për intimidim nëpërmjet reagimeve të dhunshme me synim tërheqjen nga disa vendime për mos sjellë krizë parlamentare dhe politike me ndikim negativ në raport me hapat pozitive të ndërmarra pjesërisht në rrugën e integrimit në BE-së nga pala tjetër. Këto debate dhe diskutime të agravuara dukshëm janë reagime spontane dhe të pakontrolluara dhe psikologjikisht të shkaktuara nga frikërat e brendshme për gjendjen shumë shpejt të hetuar dhe zbuluar përballë shumë abuzimeve dhe përfshirjeve në veprimtari të paligjshme të shumë funksionarëve dhe ish-funksionarëve të lartë.
Këto përshtjellime kanë nxehur gjakrat dhe forcat e të dyja krahëve politikë të cilët gjenden në një lojë e cila në fund do të nxjerrë një fitues, i cili mund të preket pak nga reforma në drejtësi apo vetingu. Këto trazira janë gjithashtu edhe një strategji për përfitim kapitali politik për justifikimin e iniciativave dhe sipërmarrjeve politike përballë votuesit dhe elektoratit dhe tensioni krijohet për zhytjen thellë në kujtesën e qytetareve të rastit dhe ruajtjen e tij gjatë në memorie. Këto aksione ndërmerren edhe për të treguar pushtetin, forcën, staturën dhe autoritetin politik të maxhorancës, si fuqiplotë për të ndërmarrjen e hapave dhe vendimeve edhe në shpërfillje të opozitës dhe nga ana tjetër opozita rebelohet e ndodhur e pafuqishme për të reaguar bindshëm me forma demokratike, inteligjente dhe strategjike të cilat do ti sillnin një përfitim me të lartë politik dhe një profil edhe më të moderuar përballë qytetarëve.
Megjithatë situata do vijojë të jetë e tensionuar deri në ndërtimin e organeve të vetingut të cilat me këtë tension po tentohen të njollosen, të pengohen dhe të përlyhen duke ja zbehur autoritetin dhe integritetin që në ngjizje dhe ku më pas të pluhuroset edhe aktiviteti i tyre deri në zhbërje dhe të tentohet rikthimi në funksionimin aktual. Ky variant mendoj se është dhe mbetet qartësisht i qëndrueshëm në objektivat dhe vullnetin e opozitës dhe pjesërisht me shumë nën zë sesa në dukje, të qëndrimit dhe sipërmarrjeve në këtë drejtim të maxhorancës.
Këto tentativa të dëshpëruara të opozitës për ndryshim të vendimeve dhe për konsolidimin e koracës së paprekshmërisë së deritanishme të ish-funksionareve të saj të përfshirë në afera korruptive si dhe ecja me idenë se kundërsulmi është mbrojtja më e mirë në raste goditjesh apo sulmesh, janë veçse panik i shprehur nga aksioni i nisur për funksionimin e ligjit.
Maxhoranca po tenton forcimin e pozitave dhe ndikimit në organizimin dhe përzgjedhjen e funksionareve të drejtësisë. Mediatikisht dhe realisht po duket dhe po shfaqet një tendencë aspak pozitive centralizimi pushtetesh, nismash, iniciativash në të gjitha drejtimet nga ana e maxhorancës, që nga pikëpamja ekonomike dhe politike, në parim po ashtu edhe në realitet, është e dëmshme për qytetarët.
Ky përqëndrim po zbeh përditë konkurrencën e ndershme duke krijuar një terren të favorshëm për krijimin e monopoleve dhe oligopoleve ekonomiko-politike, të cilat janë faktorë dhe aktorë të përhershëm të krijimit të hendeqeve dhe diferencave të mëdha midis të pasurve dhe të varfërve në çdo vend dhe në çdo kohë.
Këto hapa koncentrimi të investimeve, vendimeve, iniciativave po kanalizojnë të gjitha parat dhe buxhetet në një nr të kufizuar njerëzish, të cilët po vendosin me njëri-tjetrin, rregulla të pista loje në funksionimin e tregut, ndikimi i të cilave po favorizon klientelizmin politiko-ekonomik në hartimin e politikave dhe vendimeve qeveritare të cilat po ofrojnë lehtësira të mëdha në minimizim të cilësisë dhe në dëm të qytetarëve.
Pavarësisht reagimeve, tendencave dhe dhunës të gjitha palët politike po tremben pasi po ndjejnë rënien graduale të një sistemi, i cili i ka pasuruar në kurriz të qytetarëve dhe u ka mundësuar paprekshmërinë ligjore dhe pushtetin e plotfuqishëm politik, absolutizmi i të cilit po lëkundet fort nga hapat e para të funksionimit siç duhet të shtetit ligjor.
Na mbetet të presim për të parë nëse do të mundet dhuna apo reagimet e ashpra deklarative herë-herë joetike dhe banale, të zmbrapsin apo pengojnë rrugën drejt reformimit tërësor të vendit, për t`ju përgjigjur më pas me gatishmërinë maksimale plotësimit të rregullave dhe kritereve për integrimin e shpejtë në BE.
Deri atëherë le ti cilësojmë me sportivitet kalimtare dhe qëndrojmë pjesërisht të vëmendshëm ndaj këtyre zhurmave të cilat do të duhet ti trajtojmë pjesë të mentalitetit tonë që bëjmë gjithmonë të kundërtën e asaj që duhet apo thuhet, pasi çdo gjë që ndodh apo gjendjen ku jemi, e ndjejmë dhe e përjetojmë bukur apo shëmtuar në jetën tonë të përditshme.