Kryesore Vetoja greke për Belerin, Rama: Bllokimi nga Athina për negociatat nuk do...

Vetoja greke për Belerin, Rama: Bllokimi nga Athina për negociatat nuk do i krijojë vonesa Shqipërisë

Në konferencën për shtyp të kësaj të enjteje, kryeministri Edi Rama foli për çështjen e integrimit dhe ngërçin e krijuar me Greqinë për çështjen ‘Beleri’.

Rama u shpreh i bindur se ky ngërç do të kalojë, por theksoi se sido të shkojë, Shqipëria nuk do të vonohet në rrugën e saj drejt integrimit.

“Këshilli Europian nuk merr vendim lidhur me këtë. Këshilli ngarkon konferencën apo mbledhjen e ambasadorëve të vendeve anëtare që në ditët e ardhshme të procedojnë nga pikëpamja formale, teknike, bazuar në raportin e progresit.

Pra, unë mbetem optimist që ky ngërç do të kapërcehet, por mbetem po i të njëjtës bindje, që kapërcehet apo nuk kapërcehet ky ngërç, Shqipëria nuk vonohet asnjë ditë pasi ne do të bëjmë detyrat tona. Për më tepër, kemi edhe modelin tonë të inteligjencës artificiale. Ne do të jemi gati për BE-në shumë më shpejtë sesa Bashkimi Europian të jetë gati për ne”, tha Rama.

Kryeministri bëri të ditur se e ngriti shqetësimin që mosmarrëveshjet mes dy vendeve nuk duhet të pengojnë procesin e anëtarësimit.

“Është trajtuar nga ana ime edhe çështja e vështirësisë që prej vitesh krijojnë eksportimet e mosmarrëveshjeve bilaterale në tryezën e BE. Për hir të së vërtetës ka një sensibilizim shumë të lartë, sidomos nga shtetet më me eksperiencë, më me jetëgjatësi në familjen e bashkuar europiane lidhur me faktin se si çështjet bilaterale të eksportuara nga një vend anëtar në tryezën e KiE krijojnë pengesa të paarsyeshme. Çështjet bilaterele janë çështje që duhen të zgjidhen midis dy vende dhe aq më tepër është e paarsyeshme që në një proces integrimi ku një vend hyn në negociata, që hyn në një fazë përfundimtare të shtetbërjes europiane duke përfituar përditë nga transferimi i dijes nga BE, të pengohet të vonohet sepse ka një çështje dypalëshe. Mbase do ishte më e kuptueshme që kur vjen momenti që vendi i ka përfunduar të gjitha dhe është vota, atëherë cilido mund të thotë që unë s’jam dakord. Por kjo pengesë është e paarsyeshme, jo vetëm por edhe jo europiane në frymë dhe natyrisht rastet dhe historitë kanë qenë më shumë se sa 1 e 2 dhe nuk është rastësi që të gjitha këto raste vijnë nga zona e Ballkanit. Dhe nëse nuk do gjendet një rrugë për të ndarë njëherë e mirë çështjet dypalëshe nga procesi i negociatave, Ballkani dhe vendet që janë të përfshirë në këtë proces në rajonin tonë mund ta parashikojmë pa vështirësisë se sa probleme mund të nxjerrim rrugës mes njëra-tjetrës aq më tepër kur bëhet fjalë për çështje të natyrës historike, të natyrës krejtësisht politike dhe jo për çështje që prekin ndonjë aspekt që lidhet me vlerat dhe parimet e BE”.

Rama tha se çështja me Greqinë duhet të zgjidhet mes dy vendeve, teksa theksoi se fqinjin tonë jugor e konsideron si partner strategjik.

“Ndërsa në raport me çështjen e dallimit aktual mes nesh dhe Greqisë, unë nuk jam zgjatur por kam nënvizuar se kjo është një çështje mes nesh që ne duhet ta trajtojmë mes nesh dhe që në të gjitha rastet është një çështje që përsa na takon si Shqipëri nuk e shohim të lidhur as me procesin e negociatave, por as me përmbajtjen e marrëdhënies tonë me Greqinë që  është partner strategjik i Shqipërisë, vend fqinj me të cilin duam t’i thellojmë marrëdhëniet e fqinjësisë, të thellojmë bashkëpunimin dhe të forcojmë miqësinë duke bërë gjithçka që na takon ne”.