Kryesore “Shqipëria do të bëhet Europa e Ballkanit”, Rama flet për marrëdhëniet me...

“Shqipëria do të bëhet Europa e Ballkanit”, Rama flet për marrëdhëniet me Greqinë: Çështje mes nesh!

Kryeministri Rama ka dalë sot në një deklaratë për mediat, ku ka folur për atë se çfarë ndodhi në mbledhjen e samitit të djeshëm mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Teksa foli për ato se çfarë u diskutuan në kë Samit, Rama u ndal tek ajo se çfarë po ndodh mes Shqipërisë dhe Greqisë, teksa kjo e fundit ka kërcënuar me bllokimin e negociatave me BE, në rast se nuk lejohet betimi i Belerit si kryebashkiak i Himarës.

Rama tha se kjo është një çështje që u takon dy vendeve tona dhe si i tillë, duhet trajtuar mes nesh. Kreu i qeverisë tha me bindje gjithashtu se, Shqipëria do të bëhet Europa e Ballkanit.

“Dje ishte një samit ku u diskutua perspektiva e vendeve tona në rrugën e integrimit evropian. U vu në pah progresi i bërë, u fol për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Më vjen shumë mirë të ndaj sot me ju faktin se vendet anëtare kanë një vlerësim shumë pozitiv për progresin e Shqipërisë.

Këto ditë do të organizoj edhe një takim falënderimi dhe motivimi për më tej të anëtarëve të kësaj skuadre, e cila në totalin e vet, po të marrim negociatorët, të marrim prezantuesit dhe kontribuuesit, është rreth 1 mijë vetë.

Në fjalën e mbajtur dje në emër të Shqipërisë, kam falënderuar të gjithë krerët e BE, nuk ka qenë thjesht një falënderim formal, por i sinqertë dhe shumë i ndjerë, lidhur me një punë të përbashkët, thuajse 5-vjeçare. Për herë të parë Ballkani Perëndimor është dëgjuar, kemi fituar një respekt, që nuk e kemi pasur kurrë.

Sigurisht që kam informuar edhe për modelin tjetër, që nuk është dhe nuk ka si të jetë gati, por synimi ynë është që të jetë gati brenda këtij mandati, për një minimizim të paprecedentë të pjesëmarrjes së njeriut në proceset e prokurimeve publike, duke përdorur inteligjencën artificiale.

Më tej kam prekur sigurisht çështjen e marrëdhënies strategjike të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, si një marrëdhënie që bazohet tek një religjion i përbashkët që është Evropa, si një amanet i vjetër i atyre që na lanë porosi që të mos harrojmë asnjëherë se për ne dielli lind andej nga perëndon, si një mision dhe si një borxh historik ndaj gjeneratave të tjera dhe patjetër edhe si një fuqi e shtuar për të punuar dhe për të përballuar me durim çdo vështirësi e për të kapërcyer çdo pengesë të çdo natyre.

Sigurisht që është trajtuar nga ana ime edhe çështja e vështirësisë që prej vitesh në fakt krijojnë eksportimet e mosmarrëveshjeve bilaterale mes një vendi dhe një tjetri mes dy vendeve. Këto çështje duhet të zgjidhen midis dy vendeve dhe është e paarsyeshme që në një proces integrimi ku një vend hyn në negociata, të pengohet, të vonohet, sepse ka një çështje bilaterale. Dhe këto raste vijnë nga zonat e Ballkanit.

Dhe nëse nuk gjendet një mënyrë për këtë, të gjitha vendet që janë në proces integrimi, mund të parashikohet se sa probleme mund të nxjerrin në kohë mes njëra – tjetrës. Aq më tepër kur bëhet fjalë për çështje të natyrës historike, politike dhe jo për çështje që prekin ndonjë aspekt që lidhet me vlerat dhe parimet e BE-së.

Sa i përket asaj që po ndodh me Greqinë, unë nuk jam zgjatur, por kam nënvizuar se kjo është një çështje mes nesh, që duhet ta trajtojmë mes nesh dhe që në të gjitha rastet, është një çështje që përsa na takon, ne nuk e shohim të lidhur as me procesin e negociatave, por as edhe me përmbajtjen e marrëdhënieve tona me Greqinë. Ne duam të jemi një vend europian në Ballkan. Shqipëria duhet, mund dhe me punën tonë të përbashkët do të bëhet Europa e Ballkanit”, tha ndër të tjera Rama në fjalën e tij.