Masat për kontrollin dhe sigurinë në aeroportin “Nënë Tereza” dhe në transportin ajror, pritet të shtohen pas miratimit të kodit të ri ajror të Republikës së Shqipërisë. Projektligji i qeverisë ka dalë për konsultim publik dhe më pas do të shkojë për miratim në Parlament.
Pas grabitjeve në pistën e Rinasit të sasive të mëdha të parave që do të transportoheshin jashtë është menduar që personeli i sigurisë së aeroportit të kalojë një kontroll të fortë të së kaluarës për një periudhë jo më të shkurtër se pesë vjet, me pas kjo procedure përsëritet edhe nëse e ke kaluar kontrollin e parë, një fare vettingu periodik.
Verifikimet do të bëhen nga Ministria e Brendshme, ndërkohë që Aviacioni Civil do të publikojë kriteret skualifikuese. Kontrollet janë njëra anë; në anën tjetër i gjithë personeli i sigurisë duhet të trajnohet dhe certifikohet për çdo kategori nga Autoriteti i Aviacionit Civil dhe Ministria e Brendshme. Sipas kodit të ri ajror, çdo operator i aeroportit që ofron shërbime të Aviacionit Civil, duhet të hartojë, të zbatojë dhe të mirëmbajë një program të sigurisë, bazuar në rregullat dhe standardet e Bashkimit Evropian. Po ashtu ne këtë kod parashikohen që incidentet apo ngjarjet e rënda të hetohen nga një autoritet i pavarur nga Aviacioni Civil, i cili raporte duhet t’ia paraqesë Këshillit të Ministrave, ministrisë së linjës që merret me transportet.