Aktualitet “Babalja”, merret në pyetje Alibeaj. Shpjegon arsyet e publikimit të audio-përgjimit

“Babalja”, merret në pyetje Alibeaj. Shpjegon arsyet e publikimit të audio-përgjimit

Ka vazhduar me pyetjen e dëshmitareve procesi gjyqësor në ngarkim të të pandehurve Albert Veliu dhe Fredi Alizoti, të konsideruar si dy nga protagonistët e dosjes ‘Babalja’. Para trupës gjyqësore dëshmoi ish-deputeti Enkelejd Alibeaj.

Alibeaj tregoi se si u përfshi në atë që mori emrin ‘Babalja’ dhe që lidhet me audio-përgjimin që me tepër se një vit me parë bëri bujë në opinionin publik. Dëshmitari shtoi se në cilësinë e drejtorit të departamentit për rendin dhe sigurinë publike, ai e publikoi audio përgjimin bashkë me kolegët e tij demokratë, Ervin Salianji dhe Gazmend Bardhi.

I pyetur nga avokatët nëse ka patur një konspiracion në këtë çështje, Alibeaj deklaroi se nuk ka patur ndonjë qëllim të fshehtë, për të goditur dikë personalisht.

I pyetur nga prokurori a kishte prova për autencititetin e audio-përgjimit, i cili më pas rezultoi i pavërtetë, Alibeaj këmbënguli se ‘detyra ime nuk kërkon të kem laborator apo të bëj ekspertizë, por bazuar në moralin politik dhe perceptimin që krijoi , meritonte të bëhej publike’, shtoi më tej dëshmitari.