Aktualitet Vettingu i “pret kokën” zyrtarit të parë të policisë

Vettingu i “pret kokën” zyrtarit të parë të policisë

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit shkarkon nga detyra shefin e sektorit të ankesave në SHÇBA, Oltion Shehu, i cili ishte dhe zyrtari i parë që u përball me vetingun në radhët e policisë.

Në seancën dëgjimore, KJV konstatoi probleme në kriterin e pasurisë, pasi Shehu nuk justifikonte një shumë prej 1.4 milion lekësh.

Për këtë konstatim të komisionit, zyrtari i SHÇBA tha se nga viti 1996-2003 ka punuar pa siguracione, në një bingo ku ka pasur detyrën shef salle, banakier por edhe kamarier.

Gjatë kësaj kohë ai pretendon se ka pasur të ardhura të larta për shkak edhe të bakshisheve, të cilat i ka të pa dokumentuara. Po ashtu Shehu pretendoi se nuk ishte në dijeni që gjatë kësaj periudhe ka qenë pa siguracione.

Sipas hetimit, Oltion Shehu rezulton se ka në pronësi një shtëpi dykatëshe në njësinë nr.8, ndërtimin e të cilës nuk e justifikon para komisionit. Për këtë konstatim Shehu u shpreh se banesa është ndërtuar nga të ardhurat ndër vite.

Avokati i oficerit kërkoi një rivlerësim të shpenzimeve, ndërsa Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit vendosi kontraktimin e një eksperti kontabël, për këtë çështje.