Bota VIDEO: Macron, Johnson dhe Trudeau kapen “mat” duke folur keq për Trump

VIDEO: Macron, Johnson dhe Trudeau kapen “mat” duke folur keq për Trump

Në internet është publikuar një video ku disa liderë botërorë, përfshirë kryeministrin britanik, Boris Johnson, kryeministrin kanadez, Justin Trudeau, dhe presidentin francez, Emmanuel Macron, duket se tallen me presidentin amerikan, Donald Trump, gjatë Samitit të NATO-s në Londër.

Në këto pamje shihen liderët duke biseduar në pallatin “Buckingham” të martën në mbrëmje.

Britaniku Johnson e pyet francezin Macron: “A është kjo arsyeja pse u vonove?”, para se kanadezi Trudeau të ndërhyjë me fjalët: “Ai u vonua sepse mori pjesë në një konferencë me gazetarë që zgjati 40 minuta”.

Trudeau më pas shton fjalët: “Oh, po, po, po. Ai njoftoi për…”, para se të ndërpritet nga presidenti francez.

Ky i fundit i kthen shpinës kamerës dhe nuk kuptohet se si vijon biseda.

Në këtë bisedë nuk përmendet personi për të cilin po bisedohej, por rrjedha e saj lë të kuptohet se bëhet fjalë për presidentin amerikan, Donald Trump, i cili është i njohur për konferencat e tij të gjata me gazetarët.

Ai mbajti një konferencë të tillë që zgjati 50 minuta të martën.

Kjo video u publikua një ditë pas daljes në pah të përçarjeve mes vendeve anëtare të NATO-s, ku liderët e Francës, Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara e akuzuan njëri-tjetrin për bashkëpunim me grupet e lidhura me ISIS-in, fyerje ndaj NATO-s dhe shpenzime të vogla në fushën e mbrojtjes.