Aktualitet VIDEO/ Në ambientet e një hoteli me dashurën, dalin për herë të...

VIDEO/ Në ambientet e një hoteli me dashurën, dalin për herë të parë pamjet e fundit të Ervis Martinaj

Emisioni ‘Në Shënjestër’ në News24 publikoi këtë mbrëmje për herë të parë, pamjet e fundit të Ervis Martinaj, njeriut më të shumëkërkuar në Shqipëri që nga 11 gushti 2022, mbrëmjen kur ai u shpall dhe u denoncua i zhdukur nga familjarët e tij.

Siç e shikoni edhe në pamjet e publikuara gjatë emisionit, Martinaj shfaqet mbrëmjen e 5 gushtit 2022 në ambientet e një hoteli në vijën bregdetare të Durrësit.

Në këto pamje ai dallohet teksa është në praninë e të dashurës së tij me të cilën kaloi mbrëmjen dhe efektivit të policisë, Jeton Lami i cili tashmë ndodhet i ndaluar nga grupi hetues, që po merret me zbardhjen e së vërtetës së zhdukjes së atij që njihej si ‘Mbreti i Lojërave të Fatit’.

Por që askush nuk di të thotë cili është misteri i zhdukjes së tij. Por gjatë emisionit ‘Në shënjestër’, këtë të mërkurë, u publikua edhe foto e makinës së braktisur që përdorej nga Ervis Martinaj.

Siç shikohet edhe nga fotoja, makina u gjend pranë një karburanti në rrugën Durrës-Kukës. Ndërkohë që nuk ka të dhëna të tjera se çfarë u gjend në brendësi të këtij automjeti.

“Në shënjestër” zbardhi edhe pjesë të dosjes, ku thuhet se hetimi për zhdukjen e Martinajt, nisi pas informacionit të marrë nga një burim konfidencial, i cili rrëfente se i shumëkërkuari ishte rrëmbyer dhe vrarë nga kundërshtarët.

Në dosje thuhet se njeriu më i famshëm i krimit në Shqipëri, është nxjerrë në pritë nga një femër, emri i të cilës nuk bëhet i ditur.

Autoritetet nuk e kanë ende një përgjigje për fatin e babait të 4 fëmijëve të mitur, ndërsa kryeministri Edi Rama ka theksuar së fundmi se e kanë një përgjigje për këtë çështje, por duhet mbështetur në prova.

Por ai nuk ka saktësuar nëse i shumëkërkuari e ka inskenuar ngjarjen apo është rrëmbyer dhe vrarë nga kundërshtarët e shumtë.