Një video e një kryetari bashkie që merr lëndë narkotike qarkullon mes qarqeve të ngushta të gazetarëve dhe atyre politike. Këtë lajm e konfirmuan mbrëmë në emisionin “Opinion” gazetari Artan Hoxha si dhe Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.
Bardhi deklaroi se e ka parë videon, por nuk e disponon atë. Gjithashtu ai u shpreh se e di se për cilin kryebashkiak bëhet fjalë. Ndërkohë gazetari Artan Hoxha u shpreh se ka dijeni për një video të tillë. Sipas tij, çështja e atyre pamjeve u spostuan për shkak të tërmetit.
I pyetur nga drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu për ambientet ku i konsumonte ky kryetar bashkie narkotikët, Hoxha tha se bëhet fjalë për ambiente publike.
Blendi Fevziu: Në studio Hoxha ka folur edhe për një kryetar bashkie që merrte narkotikë apo jo?
Artan Hoxha: Po!
Gazment Bardhi: Po!
Blendi Fevziu: Është një video?
Artan Hoxha: Besoj se thjesht çështja e tërmetit e spostoi atë.
Blendi Fevziu: Është akoma videoja në qarkullim?
Artan Hoxha: Sigurisht.
Blendi Fevziu: Ka dijeni PD për atë?
Gazment Bardhi: Po kemi dijeni!
Blendi Fevziu: Keni edhe videon?
Gazment Bardhi: Kam dijeni, e kam parë videon, por nuk e disponoj. Di për cilin rast bëhet fjalë, apo cili kryebashkiak…
Blendi Fevziu: Ku merr narkotikë, në ambientet e bashkisë?
Artan Hoxha: Në publik se po të ishte në zyrë nuk ke si e filmon. Nëse e merr narkotikun në banesë ose ambient të mbyllur je përdorues. Në momentin që e merr në ambient publik është problem.