Një person ka humbur jetën për shkak të koronavirusit në Filipine, duke shënuar në këtë mënyrë viktimën e parë jashtë Kinës, aty ku shpërtheu epidemia. Bëhet fjalë për një 44-vjeçar kinez nga Wuhani, i cili sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, ishte infektuar përpara se të shkonte në Filipine.
Sipas mediave ai kishte udhëtuar sëbashku me një 38-vjeçare kineze, e cila rezultoi pozitive me virus javën e kaluar. Ai ishte shtruar në një spital në kryeqytetin Manila dhe për shkak të virusit iu zhvillua një formë e rëndë e pneumonisë. Mjekët pohojnë se 44-vjeçari vuante edhe nga sëmundje të tjera.
Më shumë se 300 veta kanë humbur jetën që kur shpërtheu koronavirusi i ri. Pjesa më e madhe e viktimave janë nga Hubei, epiqendra e epidemisë. Më shumë se 14 mijë të tjerë janë infektuar nga ky virus.
Disa shtete kanë tërhequr qytetarët e tyre nga këto zona dhe i kanë vendosur ata në karantinë. Numri i rasteve është i ngjashëm me atë të epidemisë Sars në vitin 2003, por vdekshmëria nga koronavirusi i ri është më i ulët sipas ekspertëve.