Politika Paketa AntiKÇK, reagon SHBA-ja dhe BE-ja

Paketa AntiKÇK, reagon SHBA-ja dhe BE-ja

Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe Delegacioni i Bashkimit Europian në vendin tonë reaguan pas miratimit të paketës AntiKÇK me akt normativ nga qeveria.

Në një deklaratë në rrjetet sociale, ambasada amerikane i mirëpret këto përpjekje të qeverisë shqiptare, të cilat sipas saj bëhen për të parandaluar krimin e organizuar që të përdorë pasurinë e paligjshme.

Sipas SHBA-ve, mekanizmat e përforcuar për zbatimin e ligjit duhet edhe të mbështesin institucionet e reja të drejtësisë.

“Ndërsa vazhdon zbatimi i reformave të rëndësishme të drejtësisë, Shtetet e Bashkuara mirëpresin përpjekjet e intensifikuara nga Qeveria e Shqipërisë për të parandaluar krimin e organizuar që të përdorë pasurinë e paligjshme për të minuar themelet e shtetit ligjor. Mekanizmat e përforcuar për zbatimin e ligjit duhet edhe të mbështesin institucionet e reja të drejtësisë të ngarkuara me ndjekjen penale të krimit të organizuar, edhe të harmonizohen me standardet e procesit të drejtë ligjor. Ne do të vazhdojmë ta ndjekim zbatimin e këtij ligji me interes te madh”, thuhet në deklaratën e ambasadës së Shteteve të Bashkuara.

Sipas Delegacionit të Bashkimit Europian në vendin tonë, kjo paketë tregon vullnetin politik që ka qeveria për të trajtuar luftën kundër krimit të organizuar.

Në një deklaratë, delegacioni thotë se do ta ndjekë nga afër zbatimin e aktit normativ dhe se është e rëndësishme që këto masa të ndiqen përmes institucioneve të krijuara nga reforma në drejtësi, veçanërisht SPAK-un.

“’Ndiq paratë’ ka provuar se është një mënyrë shumë e efektshme për të luftuar konkretisht organizatat kriminale. Ligji special i miratuar nga Qeveria e Shqipërisë, që prezanton masa të reja parandaluese për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, shkon në këtë drejtim dhe tregon vullnet politik për të trajtuar këtë problem. Ne do të ndjekim nga afër zbatimin konkret të aktit normativ. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që masat e reja ligjore të zbatohen në respekt të plotë të të drejtave themelore të të akuzuarve dhe në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës. Është gjithashtu e rëndësishme që këto masa të reja të ndiqen përmes institucioneve të krijuara nga reforma në drejtësi, në veçanti SPAK-un. Ne vazhdojmë ta inkurajojmë Qeverinë e Shqipërisë që të rrisë më tej përpjekjet e saj për zbatimin e plotë të reformës në drejtësi dhe forcimin e shtetit të së drejtës”, thuhet në deklaratën e Delegacionit të BE-së.

Qeveria kaloi me një akt normativ paketën AntiKÇK të premten. Subjekte të këtij ligji do të jenë të gjithë të dënuarit për krim të organizuar, pjesëmarrje në organizata kriminale, apo grupe të tjetra kriminale dhe terroriste, si dhe për trafiqe e krime të tjera të rënda.

Me këtë paketë, pasuria e tyre do të kalojë në sitën e Policisë së Shtetit, SPAK-u dhe Gjykatave të Posaçme. Pjesë e saj janë dhe të gjithë ata që janë akuzuar për këto vepra penale, por nuk janë dënuar asnjëherë për shkak se mund të kenë blerë, sipas qeverisë, lirinë e tyre tek gjykatës apo prokurorë të korruptuar.